Pas ndërhyrjes së qeverisë për rritjen e pagave të punonjësve të Policisë së Shtetit, edhe Sindikata e Gardës së Republikës ka ngritur kërkesën për rishikimin e pagave të efektivëve të saj. Përmes një reagimi publik, sindikata u ka bërë thirrje strukturave përgjegjëse që të mos e vonojnë më hartimin e një programi konkret për rritjen e pagave.
Sipas sindikatës, punonjësit e Gardës nuk janë vlerësuar financiarisht në mënyrë të përshtatshme që prej vitit 2001. Ajo ngre shqetësimin se diferenca prej 15 mijë lekësh që historikisht ekzistonte mes pagave të Gardës dhe institucioneve të tjera të sigurisë është zhdukur.
“Nuk mund të pritet më! Që nga viti 2001, Institucioni i Gardës së Republikës nuk vlerësohet siç duhet. Ajo që historikisht ka qenë një diferencë meritore prej +15,000 lekësh ndaj institucioneve të tjera të sigurisë sot është shkrirë, duke cenuar dinjitetin ekonomik të punonjësve tanë”, thuhet në reagimin e sindikatës.
Për të argumentuar kërkesën për rritje page, sindikata rendit natyrën e veçantë të shërbimit, presionin e vazhdueshëm dhe nivelin e lartë të gatishmërisë që kërkohet nga punonjësit e Gardës. Sipas saj, detyra që ata kryejnë nuk lë hapësirë për gabime, pasi lidhet drejtpërdrejt me sigurinë e personaliteteve të larta shtetërore, shqiptare dhe të huaja.
“Profesioni ynë është gjithmonë me ‘vizë të kuqe’: Presioni, gatishmëria dhe vështirësia në shërbimin tonë janë maksimale në çdo sekondë”, thekson sindikata.
Më tej, ajo nënvizon se përgjegjësia e punonjësve është e jashtëzakonshme, pasi çdo neglizhencë mund të ketë pasoja për sigurinë e personave që ata kanë për detyrë të mbrojnë.
“Zero tolerancë për gabime: Në profesionin tonë nuk duhet dhe nuk ka kurrë ‘herë të parë’ kur bëhet fjalë për cenimin apo rrezikimin e personaliteteve të larta shtetërore, vendas apo të huaj. Siguria e tyre është imazhi i vetë shtetit shqiptar”, thuhet në deklaratë.
Në përfundim, Sindikata e Gardës i kërkon Sektorit të Financës dhe strukturave përgjegjëse që të paraqesin urgjentisht pranë Ministrisë së Financave një program të detajuar për rritjen e pagave.
“Të mbrosh shtetin me jetë kërkon që edhe shteti të të vlerësojë me dinjitet. Presim reflektim dhe hapa konkretë nga strukturat përgjegjëse!”, përfundon reagimi.













