Politologu Ermal Hasimja ka komentuar qëndrimin e ndërkombëtarëve ndaj qeverisë së Edi Ramës, duke e lidhur mungesën e një presioni më të fortë me mungesën e një alternative të qëndrueshme në kampin opozitar.
I ftuar në emisionin “Terminal” në A2 CNN, Hasimja tha se partnerët ndërkombëtarë, si nga Bashkimi Europian ashtu edhe nga NATO, e kanë stabilitetin ndër elementët kryesorë që marrin në konsideratë.
Sipas tij, mungesa e një blloku të konsoliduar opozitar, që të ofrojë garanci për vazhdimësinë dhe stabilitetin politik, ndikon në mënyrën se si ndërkombëtarët pozicionohen ndaj zhvillimeve në Shqipëri.
“Një nga arsyet pse ndërkombëtarët nuk kanë qenë më agresivë, më të vendosur në raport me vijimësinë e qëndrimit të Ramës në pushtet është pikërisht sepse nuk gjejnë një garanci tjetër stabiliteti në anën e opozitës”, u shpreh Hasimja.
Ai shtoi se forcat politike dhe grupimet që kundërshtojnë qeverisjen aktuale duhet të gjejnë një mënyrë bashkëpunimi, edhe nëse nuk arrijnë të bashkohen në një strukturë të vetme.
“Në momentin e parë që në anën e opozitës do të kishte një bllok solid, atëherë gjithçka do të ishte shumë më e lehtë”, deklaroi politologu.













