VIDEO/ Studentja: Protesta është e popullit, PD hapi selinë dhe mbrojti shokët e mi nga dhuna policore

VIDEO/ Studentja: Protesta është e popullit, PD hapi selinë dhe mbrojti shokët e mi nga dhuna policore

21:52, 31/10/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Një studente ka falënderuar të gjithë qytetarët që iu bashkuan protestës së sotme, pavarësisht përkatësisë politike, si dhe Partinë Demokratike për hapjen e selisë, ku protestuesit, mes tyre edhe miqtë e saj, kanë gjetur strehim nga dhuna policore dhe gazi lotësjellës.

Studentja theksoi se protesta nuk i përket një partie apo grupi të caktuar, por është protestë e popullit. Ajo u shpreh se nuk mund të flasë në emër të të gjithë personave që ndodheshin në protestë, pasi secili ka pasur përjetimet dhe ndërveprimet e veta.

Ajo ka vlerësuar ndihmën ligjore të ofruar për protestuesit, por nënvizoi se në Shqipëri ekziston një nivel i lartë mosbesimi ndaj qeverisë dhe se Partia Demokratike duhet të adresojë mosbesimin që ekziston ndaj saj.

Sipas studentes, përplasjet mes protestuesve dhe përfaqësuesve politikë janë të pashmangshme, pasi nuk mund të pritet që çdo student apo pjesëmarrës në protestë të bindet se një parti politike vepron me qëllime të mira.

“Unë realisht falënderoj çdo individ që ka ardhur në protestë, qoftë apo jo i Partisë Demokratike. Falënderoj dhe për selinë e PD-së që është hapur, që protestuesit, duke përfshirë vetë edhe shoqërinë time, janë futur aty dhe janë shpëtuar nga gazi lotsjellës, nga dhuna policore, nga shumë gjëra që mund të kishin ndodhur”, u shpreh ajo.

Studentja theksoi se, pavarësisht vlerësimit për ndihmën e dhënë, protestuesit duhet të kenë të drejtën të shprehin edhe kritikat e tyre ndaj deputetëve dhe simpatizantëve të partive politike.

“Patjetër që ne i vlerësojmë, unë i vlerësoj gjithë përpjekjet që janë bërë edhe gjithë ndihmat që janë dhënë, mirëpo vlen që të përmendet fakti që shumë nga deputetët dhe shumë nga simpatizantët mund të kenë gjëra të tyre personale, të cilat nuk mund t'u thuash protestuesve që mos t'i adresojnë”, deklaroi studentja gjatë prononcimit të saj në EuroNews.


© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco