Egnatia ndryshon listën e UEFA-s/ Sota jashtë, Beqja merr vendin e tij në Europë
Egnatia ka bërë një ndryshim të rëndësishëm në listën e saj për fazën e ligës në Conference League. Kampionët e Shqipërisë kanë vendosur që Ledio Beqja të zërë vendin e Eljon Sotës, i cili pësoi një dëmtim të rëndë në ndeshjen ndaj Teutës.
Sipas raportimeve të “Panorama Sport”, 25-vjeçari Beqja është përzgjedhur nga drejtuesit rrogozhinas për të zëvendësuar mbrojtësin e dëmtuar, duke përfituar nga mundësia që ofron rregullorja e UEFA-s për raste të tilla.
Rregullorja parashikon zëvendësimin e përkohshëm të një futbollisti të fushës në listën europiane, në rast se dëmtimi pritet të zgjasë të paktën 60 ditë. Për këtë procedurë, klubi duhet të paraqesë dokumentacionin e nevojshëm mjekësor pranë UEFA-s.
Beqja, i cili iu bashkua Egnatias gjatë merkatos së verës, ka kaluar një periudhë të vështirë për shkak të dëmtimeve, por tashmë është rikuperuar dhe ka nisur të fitojë minuta në javët e fundit.
Kështu, mesfushori do të ketë mundësinë të jetë në dispozicion të trajnerit Nevil Dede për sfidat europiane. Ndeshja e radhës për Egnatian është ajo ndaj Universitatea Craiova, e programuar më 5 nëntor, në orën 21:00, në transfertë.
Një rikthim i rëndësishëm për kampionët shqiptarë, që synojnë të vazhdojnë aventurën e tyre në arenën europiane.




