Saturday / October 31 / 2026
Revista Monitor Logo
hamburger menu icon

mbyll

close icon
Ads
Lajmet Kryesore Life Style Nga Vendi

Fytyra e re e tregut të veshjeve  

Share Share Icon

Tregu i retail-it të veshjeve në Shqipëri po ndryshon gradualisht “fytyrë”. Konsumatori vendas po kërkon më shumë vlerë për paratë që shpenzon për veshje, ndërsa kërkesa e turistëve është në rritje. Nga ana tjetër, sipas operatorëve, tregu ofron potencial për tërheqjen e markave më të njohura ndërkombëtare, ku Shqipëria mund të funksionojë si qendër rajonale. Për të rritur investimet, në një treg të tkurrur nga emigracioni dhe të kufizuar nga informaliteti, kompanitë bëjnë thirrje për qëndrueshmëri politikash dhe thjeshtim procedurash.

 

Dorina Azo

Shqiptarët vijojnë të mbeten të pasionuar pas modës së veshjeve dhe për blerjet e tyre ndjekin më tepër modelet moderne të markave më të njohura ekonomike.

Pavarësisht se kërkesa e konsumatorit vendas për veshje është në rritje, operatorët e tregut kanë konstatuar këtë vit një ndryshim të rëndësishëm në sjelljen e blerësit vendas. Sipas tyre, konsumatori po shpenzon më me kujdes dhe është i gatshëm të blejë vetëm kur vlera e produktit e justifikon cilësinë.

Drejtuesit e kompanive të retail-it të veshjeve thonë se krahas rritjes së kërkesës, blerësit vendas po bëhen më përzgjedhës dhe po krahasojnë më shumë çmimin, cilësinë dhe produktin përpara se të marrin një vendim blerjeje.

Mehmet Memo, Menaxher i LC Waikiki për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, tha për “Monitor” se kërkesa për markën është rritur me rreth 6% krahasuar me një vit më parë. Sipas tij, konsumatori shqiptar nuk është domosdoshmërisht në kërkim të produktit më të lirë, por të kombinimit më të mirë mes çmimit dhe cilësisë.

“Konsumatori sot është më i kujdesshëm në shpenzime, por kërkon më shumë vlerë për paratë. Konsumatori shqiptar është bërë më përzgjedhës.

Ai krahason më shumë çmimet, cilësinë dhe produktin përpara se të blejë. Nuk kërkon domosdoshmërisht çmimin më të ulët, por vlerën më të mirë për paratë që shpenzon”, thekson z. Memo.

Veshjet casual (veshje të përditshme) dhe sezonale vijojnë të mbeten më të kërkuarat, sipas menaxherit të dyqaneve të markës Waikiki, ndërsa gratë dhe të rinjtë janë ndër konsumatorët më aktivë. Edhe kërkesa për veshjet e fëmijëve vijon të kenë një peshë të rëndësishme.

 

Burimi: Doganat

 

Në vitin 2025, sipas të dhënave të Doganave, u importua një sasi prej 740 mijë kg veshjesh të reja. Në raport me vitin paraardhës, sasia e veshjeve u rrit me rreth 14%. Viti 2025 u karakterizua nga një rritje e sasisë së importeve, por me rënie të vlerës në raport me 2024.

Për vitin 2025, importet e veshjeve arritën në vlerën e 1.5 miliardë lekëve apo rreth 16 milionë euro, apo 3% më pak sesa 2024.

(Të dhënat e Doganave për veshjet e reja nuk përfshijnë të gjitha kategoritë e veshjeve, por janë të kufizuara në 4 grup-kapituj veshjesh për burra dhe gra, si: xhupa, xhaketa, pallto, veshmbathje, robdëshambër etj.)

 

Burimi: Doganat

 

Për periudhën janar–korrik 2026, importet e veshjeve shënuan rritje krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025. Sipas të dhënave të Doganave për 7-mujorin u importua një sasi prej rreth 300 mijë kg veshjesh.

Krahasuar me të njëjtën periudhë të 2024-s, sasia e importeve u rrit me 1.6%. Ndërkohë në vlerë, importet u rritën me 9.3%.

Sasia e importuar në janar–korrik 2026 është më e larta e regjistruar në periudhën 2020–2026. Edhe vlera e importeve në 2026-n është më e lartë se në 2025-n, por mbetet nën nivelet e viteve 2023 dhe 2024.

 

Veshjet sportive fitojnë terren, atletet Nike më të kërkuarat

Rritja e kërkesës nuk është kufizuar vetëm te veshjet e përditshme. Edhe segmenti sportiv po shënon interes në rritje, i nxitur nga përhapja e stilit “lifestyle” dhe orientimi i të rinjve drejt një jetese më aktive.

Kompletet sportive dhe atletet e markës Nike mbeten më të kërkuarat.

Semi Gjyli, menaxhere ekzekutive e kompanisë Sport Vision Group, pohoi për “Monitor” se kërkesa për vitin 2026 është në rritje krahasuar me një vit më parë. Rritja e kërkesës sipas saj është ndikuar nga sjella e konsumatorit vendas, i cili gjithnjë e më tepër po e përfshin veshjen sportive në përditshmëri, ndërsa atletet vijojnë të jenë ndër kategoritë kryesore më të shitura.

“Ajo që vihet re është se konsumatori shqiptar po e integron gjithnjë e më shumë veshjen sportive në përditshmëri. Gjithashtu, atletet vijojnë të jenë një nga kategoritë kryesore, pasi ndërthurin komoditetin, funksionalitetin dhe dizajnin.

Njëkohësisht, sidomos te brezat e rinj, po shohim orientim gjithnjë e më të madh drejt një jetese aktive dhe të shëndetshme, me interes në rritje për aktivitete si vrapimi, fitness-i apo sportet outdoor.

Kjo tendencë po reflektohet drejtpërdrejt edhe në kërkesën për produkte sportive dhe në ecurinë e kësaj kategorie”, pohon znj. Gjyli.

Në këtë treg, Nike vijon të ketë një pozicion dominues, ndërsa kërkesa po rritet edhe për marka si On Cloud, New Balance, The North Face, Hoka, ASICS, Columbia dhe Colmar.

Edhe drejtuesit e Sport Vision Group konstatojnë ndryshime te sjellja e konsumatorit. Sipas znj. Gjyli, rritja e kostos së jetesës e ka bërë konsumatorin më të kujdesshëm, por nuk ka dhënë efekte tek ulja e konsumit.

Përkundrazi, blerësit po kërkojnë produkte që justifikojnë më mirë çmimin përmes cilësisë dhe jetëgjatësisë.

“Nga ecuria që kemi parë gjatë këtij viti, shpenzimet në kategorinë sportive kanë vijuar të rriten. Sigurisht, rritja e kostos së jetesës e ka bërë konsumatorin më të kujdesshëm dhe më përzgjedhës në vendimmarrje, por kjo nuk është përkthyer domosdoshmërisht në ulje të interesit apo të konsumit.

Përkundrazi, konsumatori sot është më i informuar dhe kërkon më shumë vlerë për atë që blen, duke vlerësuar raportin mes cilësisë, çmimit dhe jetëgjatësisë së produktit. Kjo reflektohet edhe në orientimin drejt markave të njohura dhe të konsoliduara”, thotë znj. Gjyli.

 

 

Turistët arrijnë në 25% të shitjeve; Po ndryshon edhe retail-in sportiv

Një nga ndryshimet më të rëndësishme në tregun e retail-it është pesha në rritje e turistëve.

Në shumë dyqane të markave me çmime ekonomike, përfshirë De Facto, LC Waikiki, Zara apo OVS dhe Piombo të vendosura afër qendrës, has një numër të lartë turistësh që blejnë veshje për përditshmëri.

Sipas Mehmet Memos, gjatë sezonit veror turistët përbëjnë rreth 25% të shitjeve të LC Waikiki, me peshë më të lartë në dyqanet e zonave turistike dhe në qendrat tregtare të kryeqytetit.

“Turizmi ka ndikim të drejtpërdrejtë në ecurinë e retail-it dhe këtë e kemi parë edhe te LC Waikiki. Gjatë sezonit veror, turistët përbëjnë rreth 25% të shitjeve, me një peshë më të lartë në dyqanet e zonave turistike si dhe ato në qendrat tregtare në kryeqytet.

Për ne, turizmi nuk është vetëm një faktor sezonal. Ai po sjell konsumatorë të rinj nga tregje të ndryshme, duke rritur ekspozimin e markës dhe duke krijuar mundësi të reja për rritje.

Në qytetet turistike ndikimi është më i fortë dhe sezonaliteti më i theksuar. Në Tiranë, ndërkohë, baza kryesore e shitjeve vijon të jetë konsumatori vendas, megjithëse edhe kryeqyteti po përfiton nga rritja e numrit të turistëve”.

Ndër turistët që blejnë më shumë në dyqanet e markës janë konsumatorët nga Italia, Kosova, Anglia, Gjermania, Polonia dhe vende të tjera të rajonit dhe Europës.

“Preferencat e tyre nuk ndryshojnë shumë nga ato të konsumatorëve shqiptarë. Kërkohen kryesisht veshje të përditshme, praktike dhe sezonale, ndërsa turistët kanë një prirje më të madhe për produkte që mund t’i përdorin menjëherë gjatë pushimeve”.

Edhe shitëset në dyqanin DeFacto në qendër të Tiranës thanë për “Monitor” se blerjet nga turistët janë të shumta gjatë sezonit veror. Sipas tyre, vizitorët e huaj orientohen kryesisht drejt veshjeve të përditshme, praktike dhe me çmime ekonomike.

“Shumë prej tyre nisen drejt Shqipërisë pa valixhe, me qëllim që veshjet që do të përdorin gjatë pushimeve t’i blejnë këtu. Blejnë kryesisht veshje me çmime ekonomike, për përdorim të përditshëm dhe të rehatshme”, pohoi njëra prej shitëseve të dyqanit DeFacto.

Ndikim pozitiv të turizmit në shitje ka konstatuar edhe Sport Vision. Gjatë periudhave me fluks të lartë turistësh është rritur prania e klientëve të huaj nga vendet e rajonit, Europa dhe Europa Lindore.

Sipas znj. Gjyli, turistët blejnë më spontanisht dhe përveç produkteve sezonale orientohen edhe drejt artikujve praktikë, produkteve për aktivitete sportive dhe modeleve lifestyle.

 

“Temu” i merr “frymën” “Gabit”, po blihen më tepër veshje të lira online

Ndryshe nga tregu i veshjeve të reja që vijon të rritet, ai i veshjeve të përdorura nuk po arrin të ngrejë kokë.

Theksojmë se për vitet 2015-2016, tregu i veshjeve të përdorura gjeneronte importe me vlerë deri në 20 milionë euro, në 5 vitet e fundit importet e veshjeve të përdorura nuk arrijnë të kalojnë vlerën e 10 milionë eurove.

 

Burimi: Doganat

 

Në vitin 2025, sipas të dhënave të Doganave, u importua një sasi prej rreth 7,600 tonë veshjesh të përdorura. Krahasuar me vitin 2024 importet në sasi ranë me 13%. Në vlerë, importet e 2025-s arritën në 8.6 milionë, euro apo 6.4% më pak sesa viti paraardhës.

 

Burimi: Doganat

 

Rënia e importeve të veshjeve të përdorura u thellua edhe për këtë vit. Sipas të dhënave të Doganave për periudhën janar–korrik 2026 importet ranë me 15.4% në sasi dhe 14.7% në vlerë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025.

Një nga faktorët kryesorë që po ndikon në këtë tendencë sipas shitësve të veshjeve të përdorura të qytetit të Durrësit është rritja e blerjeve online të veshjeve, veçanërisht në platformën ndërkombëtare “Temu”.

Blerësit vendas të joshur nga çmimet e lira të veshjeve që nisin me çmime nga 500 lekë për copë, shumëllojshmëria e produkteve, por edhe ofertat e shumta promocionale, mënyra e pagesës (ku t’i zgjedh të paguash cash në momentin që merr porosinë), po orientojnë një pjesë të konsumatorëve drejt veshjeve të lira online, në vend të veshjeve të përdorura. Tregtarët e veshjeve të përdorura pohojnë se blerjet online në Temu po bëhen kryesisht nga vajzat e reja dhe prindërit që blejnë veshje për fëmijë.

Përveç rritjes së blerjeve online nga të rinjtë, Zamira, tregtare e veshjeve të përdorura prej 15 vitesh, vijon të pohojë se rënia e kërkesës po ndikohet edhe nga cilësia e ulët të mallrave në dengjet për tregun e “Gabit”, ku gjithnjë e më pak gjenden veshje firmato.

 

Si të tërhiqen markat ndërkombëtare në Shqipëri? Potenciali dhe sfidat e tregut

Tregu i veshjeve në Shqipëri po përjeton një fazë ndryshimesh të dukshme. Prej vitesh, konsumatori shqiptar po largohet gradualisht nga veshjet pa markë që tradicionalisht tregtohen në dyqanet e rrugëve “Myslym Shyri” apo “Bardhyl”, duke u orientuar drejt markave ekonomike dhe ndërkombëtare, të pranishme prej vitesh në tregjet europiane.

Nga njëra anë, konsumatori vendas po bëhet më përzgjedhës dhe kërkon më shumë vlerë për paratë. Nga ana tjetër, turistët po shtojnë ndjeshëm bazën e klientëve, veçanërisht në muajt e verës.

Në këtë panoramë, rritja e importeve të veshjeve të reja, zgjerimi i markave ndërkombëtare, zhvillimi i shitjeve online dhe rritja e turizmit po krijojnë një treg gjithnjë e më konkurrues.

Sfidat mbeten të mëdha, sidomos në aspektin demografik dhe institucional (procedura të gjata për licencim, problemet me çështjet e pronave etj.) për operatorët e tregtimit të veshjeve, Shqipëria nuk shihet më vetëm si një treg i vogël konsumator, por ofron potencial të pozicionohet edhe si një pikë hyrëse për markat ndërkombëtare drejt tregut të Ballkanit.

Era Xhabafti, zv.drejtoreshë e Përgjithshme e “Mini Invest Albania” dhe drejtuese e rrjetit të dyqaneve të veshjeve “Boggi Milano”, vlerëson se Shqipëria mund të jetë një treg i vogël në numër, por ka potencial të shndërrohet në një qendër rajonale për retail-in dhe markat më të njohura ndërkombëtare.

Potenciali më i madh, sipas znj. Xhabafti, qëndron te rajonalizimi. Një strukturë e ngritur në Shqipëri për një markë ndërkombëtare mund të përdoret në të ardhmen për zgjerim edhe në Kosovë, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi dhe tregje të tjera të Ballkanit.

“Shqipëria mund të jetë një treg i vogël në numra, por nuk është një treg i vogël në ambicie. Mendoj se Shqipëria ka vërtet potencialin të jetë një qendër për retail-in rajonal dhe një adresë ku markat mund të arrijnë një rajon të tërë.

Stabiliteti dhe politikat pro-investimit janë vendimtare. Markat ndërkombëtare kërkojnë parashikueshmëri, rregulla të qarta, mbrojtje të investimit dhe partnerë lokalë seriozë. Shqipëria duhet të krijojë politika dhe procedura më të lehta për hyrjen e tyre, duke favorizuar modele ku franshiza zhvillohet dhe menaxhohet nga operatorë shqiptarë.

Kemi disa faktorë që po zhvillohen njëkohësisht: rritjen e turizmit, ndryshimin e profilit të konsumatorit, zhvillimin e retail-it modern, orientimin drejt markave perëndimore dhe një brez konsumatorësh shumë më të lidhur me trendet ndërkombëtare.

Por mundësinë më të madhe e shoh te rajonalizimi. Nëse një investitor shqiptar ndërton strukturën, ekipin, logjistikën dhe know-how për një markë në Shqipëri, pse kjo strukturë të mos shërbejë nesër edhe Kosovën, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi apo tregje të tjera.

Pra, objektivi duhet të jetë që Shqipëria të bëhet qendër për franshiza ndërkombëtare në rajon, jo thjesht destinacioni i një dyqani të vetëm. Nëse ne arrijmë të jemi porta e Europës drejt Ballkanit, edhe ekuacioni i investitorëve dhe markave të mëdha ndryshon”.

Pavarësisht rritjes së konsumit dhe turizmit, tregu shqiptar përballet me problemet strukturore të tregut nga tkurrja e popullsisë për shkak të emigracionit dhe informaliteti për ardhjen e markave më të njohura ndërkombëtare.

Sipas znj. Xhabafti, demografia është një nga indikatorët e parë që analizojnë partnerët ndërkombëtarë kur vlerësojnë një treg të ri. Ndërsa informaliteti krijon pasiguri sipas saj për të kuptuar madhësinë reale të tregut dhe funksionimin e rregullave të konkurrencës.

Nëse Shqipëria nuk mund të konkurrojë me madhësinë e tregut, znj. Xhabafti rekomandon se atëherë duhet të krijohet nga institucionet siguri për investitorët përmes politikave të qëndrueshme, procedurave të thjeshta dhe një klime biznesi të qëndrueshme.

“Demografia dhe informaliteti janë dobësitë kryesore. Rënia e popullsisë dhe emigrimi janë probleme reale, sepse një nga pyetjet e para të partnerëve ndërkombëtarë është madhësia e tregut.

Ne nuk mund të mbetemi një treg i izoluar. Duhet ta prezantojmë veten si një vend me turizëm në rritje, me diasporë të madhe, me lidhje shumë të forta me Kosovën dhe me potencial për t’u kthyer në një qendër rajonale operimi.

Gjithashtu pasiguria që krijon informaliteti. Kur një pjesë kaq e madhe e ekonomisë funksionon në informalitet bëhet më e vështirë të kuptosh sa i madh është realisht tregu, cila është konkurrenca dhe çfarë kostosh do të ketë biznesi në praktikë.

Pengesë tjetër është nevoja për më shumë hapësira retail që plotësojnë standardet e operatorëve të mëdhenj ndërkombëtarë. Kemi mungesë lokacionesh si “shopping street” dhe “shopping departments”.

Problematika të tjera janë dobësitë në sundimin e ligjit, burokracia dhe procedurat e gjata të licencimit, çështjet e pronësisë dhe nevoja për më shumë transparencë e eficiencë institucionale. Edhe investitorët e huaj kërkojnë më shumë parashikueshmëri, politika më të qëndrueshme dhe komunikim më të qartë nga institucionet.

Për mua, politika më e mirë për të tërhequr një markë është politika që e bën investitorin të ndihet i sigurt për të nesërmen.

Nëse nuk mund të konkurrojmë me madhësinë e tregut, duhet të konkurrojmë duke e bërë më të lehtë dhe më të parashikueshme operimin këtu. Një treg i vogël nuk e ka luksin të jetë edhe i ndërlikuar. Investitori nuk ka frikë nga vendet e vogla; ka frikë nga pasiguria”, nënvizon ndër të tjera ajo.

 

Të ardhurat e operatorëve në rritje

Sipas të dhënave të QKB-së, të ardhurat e ITX Albania është operatori më i madh në treg, me 7.5 miliardë lekë të ardhura në 2025-n, me rritje 4% krahasuar me vitin 2024, ndërsa fitimet ranë me 7.3%.

Për LC Waikiki Retail AL, të ardhurat ishin 6.6 miliardë lekë dhe u rritën me 7%, ndërsa fitimet u zgjeruan me 77%.

Për vitin 2025, të ardhurat e kompanisë In Sport u rritën me 14% krahasuar me 2024, duke arritur në 2.3 miliardë lekë dhe fitimet me 21%.

Kompania Balkan Sport pati rritje të të ardhurave me 14% për 2025, nè 1.9 miliardë lekë. Ndërsa fitimet e kompanisë ranë me 54.7% krahasuar me vitin e mëparshëm.

“KOAN sh.p.k.” rriti të ardhurat me 54% në gati 1.2 miliardë lekë dhe fitimet me 22% për vitin 2025 krahasuar me vitin paraardhës.

Të ardhurat e New Yorker Albania ishin gati 800 milionë lekë dhe u rritën me 10% dhe fitimet me 20% për vitin 2025 krahasuar me periudhën e mëparshme.

Për vitin 2025 të ardhurat e kompanisë Defacto Retail ranë me 0.5% krahasuar me 2024, në 770 milionë lekë, ndërsa fitimet u rritën me 45.5%.

 

 

 

 

LEXONI EDHE:

Mehmet Memo: Turizmi nuk është më vetëm sezonal, po zgjeron bazën e blerësve të retail-it të veshjeve

Era Xhabafti: Shqipëria nga treg konsumator në qendër rajonale? Markat globale kërkojnë qëndrueshmëri politikash

Semi Gjyli: Veshja sportive po bëhet pjesë e përditshmërisë, më të kërkuarat janë atletet

 

 

Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Ekskluzive Monitor Top 1,000

Publikohen për herë të parë treguesit financiarë të 1000 kompanive më të mëdha në vend. Renditja e grupeve kryesore!

Eksploro Top List
Live Now

Lajme të Ngjashme

Shqipëria nga treg konsumator në qendër rajonale? Markat globale kërkojnë qëndrueshmëri politikash

Flet Era Xhabafti, zv.drejtoreshe e Përgjithshme e Mini Invest Albania   Rritja e turizmit, zgjerimi i retail-it modern dhe ndryshimi i sjelljes së...

10 minutes më parë 11 Min Lexim

Veshja sportive po bëhet pjesë e përditshmërisë, më të kërkuarat janë atletet

Flet Semi Gjyli, Menaxherja Ekzekutive e Sport Vision Group   Veshja sportive nuk është më vetëm për sport, po bëhet pjesë e përditshmërisë, n...

12 minutes më parë 6 Min Lexim
Bota /

Jo më strehë e sigurt

15 minutes më parë 7 Min Lexim
Ads
Ads
collaps icon

Rrisni limitin e artikujve në 400 në muaj FALAS! Regjistrohu Falas!

Rrisni limitin e artikujve në 400 në muaj FALAS!

Si përdorues i paregjistruar, mund të lexoni vetëm 200 artikuj në muaj. Mund ta rrisni këtë limit duke krijuar një llogari FALAS në faqen tonë.

Regjistrohu FALAS!