Ekskluzive / Të konkurrosh në Europë, duke u lidhur me fqinjët

Nga Amer Kapetanović, Sekretar i Përgjithshëm i Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RCC)
E posaçme për revistën “Monitor”
Plani i Rritjes i Bashkimit Europian i jep një shtysë të rëndësishme procesit të konvergjencës, duke e lidhur aksesin gradual në Tregun e Përbashkët të BE-së me përparimin në integrimin rajonal. Ndërtimi i tregut tonë të përbashkët rajonal nuk është një alternativë ndaj integrimit europian, por pjesë e rrugës drejt tij.
Një kompani në Ballkanin Perëndimor mund të prodhojë pjesë për një nga gjigantët europianë të industrisë së automjeteve, të përmbushë standardet e rrepta ndërkombëtare dhe t’i eksportojë produktet e saj mijëra kilometra larg.
Por, paradoksalisht, e njëjta kompani mund të ndeshet me pengesa të panevojshme kur kërkon të zgjerojë aktivitetin në një vend fqinj, vetëm disa qindra kilometra larg.
Ky është një nga paradokset e rajonit tonë. Bizneset tona kanë dëshmuar se janë të afta të konkurrojnë në tregjet ndërkombëtare. Ajo që na nevojitet është t’ua lehtësojmë bashkëpunimin ekonomik me njëra-tjetrën.
Anketa jonë e barometrit të Ballkanit e nxjerr qartë në pah këtë hendek: shtatë në dhjetë kompani vlerësojnë se heqja e barrierave tregtare është e rëndësishme për tregtinë rajonale, megjithatë vetëm 6% e tyre punësojnë punonjës nga ekonomitë fqinje.
Të marra veçmas, gjashtë ekonomitë e Ballkanit Perëndimor janë relativisht të vogla. Së bashku, ato përbëjnë një treg prej gati 17 milionë banorësh. Për bizneset, kjo do të thotë më shumë klientë potencialë, një bazë më e gjerë punonjësish të kualifikuar, më shumë furnitorë dhe mundësi më të mëdha për investime.
Për investitorët, kjo nënkupton mundësinë për t’i shërbyer një tregu më të madh përmes aktiviteteve të ndërlidhura në nivel rajonal.
Kjo është logjika ekonomike mbi të cilën mbështetet Tregu i Përbashkët Rajonal: t’u krijojë bizneseve më shumë hapësirë për t’u rritur, t’i ndihmojë të bëhen më konkurruese dhe ta afrojë rajonin me Tregun e Përbashkët të Bashkimit Europian.
Potenciali
Të marra veçmas, gjashtë ekonomitë e Ballkanit Perëndimor janë relativisht të vogla. Së bashku, ato përbëjnë një treg prej gati 17 milionë banorësh. Për bizneset, kjo do të thotë më shumë klientë potencialë, një bazë më e gjerë punonjësish të kualifikuar, më shumë furnitorë dhe mundësi më të mëdha për investime. Për investitorët, kjo nënkupton mundësinë për t’i shërbyer një tregu më të madh përmes aktiviteteve të ndërlidhura në nivel rajonal. Kjo është logjika ekonomike mbi të cilën mbështetet Tregu i Përbashkët Rajonal: t’u krijojë bizneseve më shumë hapësirë për t’u rritur, t’i ndihmojë të bëhen më konkurruese dhe ta afrojë rajonin me Tregun e Përbashkët të Bashkimit Europian.
Nga furnizimi i Europës te krijimi i më shumë vlere të shtuar
Rajoni ynë është tashmë i lidhur ngushtë me ekonominë europiane. Në vitin 2025, tregtia e mallrave ndërmjet Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Europian arriti në rreth 88 miliardë euro, ndërsa afro 70% e eksporteve tona të mallrave u drejtuan drejt tregut të BE-së.
Këto janë shifra inkurajuese, por ato tregojnë vetëm një pjesë të realitetit. Po aq e rëndësishme është se çfarë prodhojmë, si e prodhojmë dhe sa vlerë të shtuar arrijnë të krijojnë dhe të përfitojnë kompanitë tona.
Shumë biznese të gjashtë ekonomive të Ballkanit Perëndimor janë tashmë pjesë e zinxhirëve europianë të furnizimit, veçanërisht në prodhimin e komponentëve për automjete, përpunimin e metaleve, prodhimin e makinerive dhe degë të tjera të industrisë përpunuese.
Sfida e radhës është kalimi drejt një prodhimi më të avancuar, zhvillimi i produkteve dhe teknologjive tona, si dhe konkurrimi në segmente që krijojnë vlerë të shtuar më të lartë.
Bashkëpunimi rajonal mund të na ndihmojë ta arrijmë këtë.
Së fundmi, në Prishtinë, gjatë Forumit të Shoqërisë Civile, që mbante titullin frymëzues “Prova, jo premtime”, një i ri nga publiku më drejtoi një pyetje sfiduese: Çfarë do të duhej që Ballkani të kishte Airbus-in e vet?
Por historinë e Airbus-it duhet ta kuptojmë drejt, si në kuptimin metaforik, ashtu edhe në atë praktik. Airbus nuk lindi si një gjigant i industrisë. Ai nisi si një konsorcium, ku kompani ekzistuese franceze dhe gjermane bashkuan forcat për të prodhuar një avion, duke vazhduar të funksiononin si sipërmarrje të veçanta. U deshën rreth 30 vjet që Airbus-i të shndërrohej në një kompani të vetme.
Prandaj, mësimi për rajonin tonë nuk është se duhet të krijojmë domosdoshmërisht një gjigant të tillë. Ajo që na nevojitet është t’ua bëjmë sa më të lehtë kompanive tona, nga pikëpamja ligjore, financiare dhe teknike, të marrin pjesë së bashku në tenderë dhe të konkurrojnë për kontrata të mëdha.
Imagjinoni një kompani që prodhon pjesë për automjete në njërën ekonomi, një prodhues pajisjesh elektronike në një tjetër dhe një kompani inxhinierike diku tjetër në rajon, që bashkojnë forcat për të konkurruar për kontrata që asnjëra prej tyre nuk do të mund t’i fitonte e vetme.
Ambicia ekziston. Ajo që i pengon janë mekanizmat dhe infrastruktura e nevojshme për ta bërë të mundur këtë bashkëpunim.
Një komponent i certifikuar në njërën prej ekonomive të rajonit duhet të njihet dhe të pranohet edhe në ekonomitë e tjera. Lëndët e para dhe materialet e siguruara nga vende të ndryshme të rajonit duhet të llogariten si produkte me origjinë rajonale, kur produkti përfundimtar hyn në tregun europian.
Ndërmarrjet e vogla kanë nevojë për procedura të thjeshta ndërkufitare për të marrë pjesë së bashku në tendera, si dhe për akses në garanci financiare. Inxhinierët duhet të mund të lëvizin nga një vend në tjetrin po aq lehtë sa komponentët që prodhojnë.
Këto masa mund të mos duken shumë mbresëlënëse, por janë pikërisht ato që synon të realizojë Tregu i Përbashkët Rajonal.
Ballkani nuk do ta ketë Airbus-in e vet thjesht duke shpallur krijimin e tij. Kjo do të bëhet e mundur kur konsorciumi i parë rajonal të fitojë një kontratë që kompanitë pjesëmarrëse nuk do të mund ta siguronin veçmas. Kjo do të ishte një provë konkrete, jo thjesht një premtim.
Kjo është edhe ideja mbi të cilën mbështetet Partneriteti për Parqet Industriale ndërmjet gjashtë ekonomive të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Europian (WB6-EU Industrial Parks Partnership), të cilin e nisëm në shtator. Kjo nismë lidh shtatë parqe industriale dhe zona biznesi të Ballkanit Perëndimor me partnerë nga BE-ja.
Synimi ynë është të ndërtojmë rrjete furnitorësh dhe zinxhirë të vlerës së shtuar, si dhe të nxisim shkëmbimin e teknologjive dhe të praktikave industriale më miqësore me mjedisin.
Ne duam që këto lidhje të shndërrohen në investime të reja. Kompanitë e interesuara për t’iu bashkuar kësaj nisme, si furnitorë apo partnerë, janë të mirëpritura të na kontaktojnë.
Partneriteti për Parqet Industriale
Kjo është edhe ideja mbi të cilën mbështetet Partneriteti për Parqet Industriale ndërmjet gjashtë ekonomive të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Europian (WB6-EU Industrial Parks Partnership), të cilin e nisëm në shtator. Kjo nismë lidh shtatë parqe industriale dhe zona biznesi të Ballkanit Perëndimor me partnerë nga BE-ja. Synimi ynë është të ndërtojmë rrjete furnitorësh dhe zinxhirë të vlerës së shtuar, si dhe të nxisim shkëmbimin e teknologjive dhe të praktikave industriale më miqësore me mjedisin. Ne duam që këto lidhje të shndërrohen në investime të reja. Kompanitë e interesuara për t’iu bashkuar kësaj nisme, si furnitorë apo partnerë, janë të mirëpritura të na kontaktojnë.
Një treg rajonal që funksionon për bizneset
Kompanitë nuk mund t’i shfrytëzojnë plotësisht përfitimet e një tregu më të madh, nëse ushtrimi i aktivitetit në vende të ndryshme të rajonit mbetet i ndërlikuar dhe i kushtueshëm.
Një kompani prodhuese ka nevojë për afate të parashikueshme të dorëzimit të mallrave. Një kompani teknologjike ka nevojë për punonjës të kualifikuar. Një investitor ka nevojë për procedura transparente dhe siguri se aktivitetet e tij në rajon do të funksionojnë me efikasitet.
Megjithatë, bizneset vazhdojnë të përballen me kërkesa administrative, dallime në rregullore, vonesa në transport dhe vështirësi në sigurimin e financimit. Këto pengesa rrisin kostot dhe frenojnë investimet.
Ne e kemi dëshmuar tashmë se çfarë mund të sjellë bashkëpunimi rajonal. Heqja e tarifave të roaming-ut brenda rajonit, anëtarësimi në SEPA, që i bën pagesat më të lira dhe më të shpejta, korridoret e gjelbra (Green Lanes), që shkurtojnë kohën e pritjes në kufi, si dhe lehtësimi i njohjes së kualifikimeve profesionale janë shembuj konkretë të këtyre përfitimeve.
Faza e dytë e Tregut të Përbashkët Rajonal ofron kuadrin e nevojshëm për t’i çuar më tej këto përpjekje.
Në Këshillin e Bashkëpunimit Rajonal, ne bashkëpunojmë me gjashtë ekonomitë e Ballkanit Perëndimor, Komisionin Europian dhe partnerët rajonalë për t’i kthyer angazhimet politike në rezultate konkrete, nga thjeshtimi i procedurave të investimit dhe stimujt për investime të gjelbra, deri te financimi i qëndrueshëm.
Për Samitin e Liderëve të këtij tetori, nën kryesimin e Malit të Zi në Procesin e Berlinit, po përgatisim rezultate të reja konkrete të bashkëpunimit rajonal, që do t’u paraqiten liderëve për miratim.
Duhet të dëgjojmë edhe bizneset: kompanitë e dinë më mirë se kushdo se ku vazhdojnë të ekzistojnë pengesat dhe monitorimi që i bëjmë Tregut të Përbashkët Rajonal synon pikërisht t’i identifikojë ato.
Objektivi është i qartë: ta bëjmë më të lehtë dhe më tërheqës investimin, ushtrimin e aktivitetit dhe zgjerimin e bizneseve në të gjithë rajonin.
Pas 10 vitesh
Ndërsa revista “Monitor” po përgatit renditjen e kompanive më të mëdha në rajon, ia vlen të shtrojmë pyetjen se si duhet të duket kjo renditje pas dhjetë vjetësh. Sa prej kompanive tona kryesore do të ushtrojnë aktivitet në disa ekonomi të rajonit? Sa prej tyre do të kenë krijuar rrjete rajonale furnitorësh, do të kenë zhvilluar teknologjitë e tyre apo do të kenë ndërtuar marka të njohura ndërkombëtarisht? Kemi nevojë për më shumë kompani të tilla.
Të ndërtojmë brezin e ardhshëm të kompanive lider në rajon
Ndërsa revista “Monitor” po përgatit renditjen e kompanive më të mëdha në rajon, ia vlen të shtrojmë pyetjen se si duhet të duket kjo renditje pas dhjetë vjetësh.
Sa prej kompanive tona kryesore do të ushtrojnë aktivitet në disa ekonomi të rajonit? Sa prej tyre do të kenë krijuar rrjete rajonale furnitorësh, do të kenë zhvilluar teknologjitë e tyre, apo do të kenë ndërtuar marka të njohura ndërkombëtarisht?
Kemi nevojë për më shumë kompani të tilla.
Kompanitë e fuqishme rajonale mund të përfshijnë furnitorët më të vegjël në rrjete më të gjera prodhimi, të investojnë në inovacion, të krijojnë vende pune më të mirëpaguara dhe të tërheqin partnerë ndërkombëtarë.
Por madhësia, në vetvete, nuk mjafton. Ambicia jonë duhet të jetë zhvillimi i kompanive më produktive, më inovative dhe më konkurruese në tregjet ndërkombëtare.
Dhe kemi arsye të forta për të vepruar me urgjencë.
Sipas të dhënave më të fundit të platformës Converge2EU, nëse vijojnë tendencat aktuale, rajonit do t’i duhen edhe 30 deri në 60 vjet për të arritur standardet e jetesës së Bashkimit Europian. Hendeku shkon shumë përtej të ardhurave, duke përfshirë arsimin, shëndetësinë dhe infrastrukturën.
Duhet ta shkurtojmë këtë rrugëtim dhe për këtë mund të na ndihmojnë biznese më të fuqishme rajonale, produktiviteti më i lartë dhe integrimi më i thellë.
Plani i Rritjes i Bashkimit Europian i jep një shtysë të rëndësishme këtij procesi, duke e lidhur aksesin gradual në Tregun e Përbashkët të BE-së me përparimin në integrimin rajonal. Ndërtimi i tregut tonë rajonal nuk është një alternativë ndaj Europës, por pjesë e rrugës drejt saj.
Ne kemi një kuadër të përbashkët bashkëpunimi, një drejtim të qartë dhe biznese të afta për të konkurruar në tregjet ndërkombëtare. Ajo që ka rëndësi tani është shpejtësia me të cilën arrijmë t’i kthejmë angazhimet në rezultate konkrete.
Bizneset tona duhet të jenë në gjendje të zgjerohen në të gjithë rajonin po aq natyrshëm sa zgjerohen brenda tregjeve të tyre kombëtare. Ndërsa gjenerata e ardhshme e kompanive lider duhet të dallohet jo thjesht për madhësinë, por për tregjet ku arrin të depërtojë, produktet që është në gjendje të zhvillojë dhe vlerën e shtuar që krijon.
Ky është tregu rajonal që duhet të ndërtojmë dhe duhet të veprojmë shpejt. Nuk mjafton më që fjalët t’i kthejmë në vepra dhe premtimet t’i mbajmë. Tani duhet ta përshpejtojmë ritmin e realizimit të tyre.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.









