Boksieri meksikan Canelo Alvarez mposhti të shtunën në mbrëmje kanadezin Christian M’Billi me vendim unanim të gjyqtarëve, duke u rikthyer kampion bote në peshën super të mesme (pesha 77kg).
Në duelin e zhvilluar në Riad të Arabisë Saudite, veterani meksikan arriti të bëjë diferencën, duke marrë titullin e kategorisë WBC. Për M’Billi, kjo është humbja e parë në karrierën e tij (ka edhe 29 fitore e 1 barazim), duke dorëzuar titullin.
Një përballje e komanduar shumicën e kohës nga Alvarez, që arriti të tregojë pjekuri në ring edhe falë përvojës. Të tri gjyqtarët i dhanë atij fitoren: 115-112, 116-111 dhe 117-110, diferenca që tregojnë për epërsinë e meksikanit.
M’billi u kujtua vonë për të vënë në vështirësi Alvarez (64 fitore, 3 humbje e 2 barazime në karrierë), që pasi krijoi një epërsi në pikë administroi me qetësi avantazhin. Një triumf i merituar për Canelo Alvarez, që konfirmohet një kampion.







