Në çdo episod të “Top Tech” me Mateo Kadriun zbulojmë të rejat më të fundit nga bota e madhe e teknologjisë. Me informacione dhe gjithçka të detajuar rreth risive dhe mundësive që po na ofrohen çdo ditë sidomos nga Inteligjenca Artificiale me avancimin e projekteve nga më të ndryshme.
Makina që fluturojnë… përpara se të dalë GTA 6?
Po, e dëgjuat mirë. Dhe të sqarohemi: nuk po flas për atë tipin që merr kthesën me 140 dhe përfundon në oborrin e komshiut. Më 15 tetor, Tesla tregoi Roadster-in e ri. Dhe versioni me teknologji të zhvilluar bashkë me SpaceX… u ngrit nga toka, kapërceu automjete dhe u rrotullua në ajër. Fluturime të shkurtra, kuptohet. Sa për të kaluar makinën që ke përpara, jo për të ikur me pushime. Por imagjinoni çfarë problemi hap kjo te parkimi i lagjes. Del nga kafeneja. Ta kanë bllokuar makinën. Merr në telefon numrin që ka lënë te xhami:
— Alo, hajde pak se më ke bllokuar.
— Ate Teslën që fluturon ke?
— Po.
— Po kalo sipër, o vlla! Ca na lodh kot!
Teknologjia ecën përpara. Dhe nuk mbaron këtu. Roadster-i eci edhe përmbys në një rampë, falë një sistemi thithjeje që e mban makinën të ngjitur në sipërfaqe me nje forcë mbajtëse rreth 4.7 ton. Këtu edhe mekaniku i lagjes do të ndalonte një çast përpara se të thoshte: “E kemi pasur një të tillë.”
Sipas Tesla-s, makina shkon nga zero në rreth 97 kilometra në orë në më pak se një sekondë. Rreth 0.8 sekonda. Më në fund, personi që të thotë gjithmonë:“Jepi pak…”…do ta kuptojë sa e rëndësishme është fjala PAK. Nëse makina finale i realizon vërtet këto, kjo është çmenduri.
Jo “i vumë ekranin pak më të madh”.
Jo “tani dritat brenda bëhen edhe lejla”.
Po flasim për një makinë që ngrihet nga toka dhe ecën përmbys. Vetëm se ka një detaj të vogël: Prodhimi premtohet për 2028. Dhe pas gjithë shtyrjeve të Roadster-it… rezervën duhet ta mbajmë. Pra, makina fluturoi.Klienti vazhdon të presë në tokë.