Tech Top Tech - News

Kafshët e zhdukura mund të rikthehen! AI identifikon 2.300 pika ndërhyrjeje në ADN

Në çdo episod të “Top Tech” me Mateo Kadriun zbulojmë të rejat më të fundit nga bota e madhe e teknologjisë. Me informacione dhe gjithçka të detajuar rreth risive dhe mundësive që po na ofrohen çdo ditë sidomos nga Inteligjenca Artificiale me avancimin e projekteve nga më të ndryshme.

Ditën që shkenca të rikthejë kafshët e zhdukura, ju lutem, të merret edhe me shokun qe merr 300 euro  borxh dhe zhduket. Nga ai ka mbetur vetëm një provë që ka ekzistuar: mesazhi “T’i sjell të Hënën”.

Colossal Biosciences ka prezantuar GenoMorph, një platformë me inteligjencë artificiale që synon të përshpejtojë përpjekjet për rikthimin e specieve të zhdukura.

Në qendër është dodo, shpendi që u zhduk në shekullin e XVII (17). Plani është të krijohen shpendë me tipare të tij, duke ndërhyrë gjenetikisht tek i afërmi i tij, pëllumbi i Nikobarit.

Pra, pëllumbi që hyri në këtë projekt kishte një jetë të qetë. Tani imagjinojeni mbledhjen:

— Kemi disa ndryshime të vogla për ty.

— Sa të vogla?

— Do të bashkohesh me një variacion tjetër shpendi

Si funksionon? Platforma analizon të dhëna nga shpendë të gjallë për të parashikuar cilat pjesë të ADN-së lidhen me pamjen e dodos. Sipas kompanisë, ka identifikuar rreth 2.300 pika të mundshme ndërhyrjeje, të lidhura me sqepin dhe formën e fytyrës.

Dy mijë e treqind! Dhe mendoni që ne shkojmë te berberi, i kërkojmë vetëm, “pak anash”, dhe dalim duke kërkuar kapelen.

Por kujdes: dodo nuk është rikthyer. Kandidatët duhen verifikuar në laborator dhe nuk është shpallur një datë për lindjen e tij. Ky është një mjet kërkimor, jo një kafshë e përfunduar.

Megjithatë, është mbresëlënëse që po kërkojnë gjurmët e një shpendi të humbur prej shekujsh.

Ndërsa shokut qe na ka para  borxh ia dimë emrin, adresën, numrin, lokalin ku pi kafen… dhe prapë nuk e kapim dot.

Dodoja, të paktën, nuk hedh fotografi nga pushimet ndërkohë që thotë “jam pak ngushtë”.

JavaScript is required for tabnav widget to work properly.