Investimet kapitale të Kosovës arrijnë vetëm 30% të buxhetit të planifikuar

Qeveria Qendrore e Kosovës ka realizuar vetëm 225.5 milionë euro investime kapitale gjatë nëntë muajve të parë të vitit 2026, nga 750.9 milionë euro sa ishte buxheti i parashikuar për këtë kategori. Kjo përbën 30% të shumës së planifikuar.

Instituti GAP thekson se investimet kapitale përfshijnë projekte në sektorë si ndërtimi i rrugëve, shkollave, spitaleve dhe infrastrukturës, të cilat ndikojnë në zhvillimin ekonomik.

Të lidhura

None found

Sipas GAP-it, të dhënat e publikuara në infografikë pasqyrojnë vetëm shpenzimet e Qeverisë Qendrore. Instituti argumenton se përfshirja e investimeve kapitale në nivel lokal nuk do ta paraqiste me saktësi situatën, pasi një pjesë e konsiderueshme e buxhetit për investime kapitale po përdoret për shlyerjen e obligimeve gjyqësore, përfshirë detyrimet që lidhen me kontratën kolektive.

Po ashtu, në këtë pasqyrë nuk janë përfshirë investimet kapitale të financuara përmes granteve të përcaktuara nga donatorët.

Ndërkohë, kryeministri Albin Kurti deklaroi dje se në buxhetin e vitit 2027 rreth 1 miliard euro do të ndahen vetëm për investime kapitale. Projektbuxheti për vitin 2027 ende nuk është proceduar në Kuvendin e Kosovës, megjithëse afati i fundit ligjor ishte 31 tetori. Kurti ka njoftuar se propozimbuxheti për vitin e ardhshëm do të paraqitet të hënën.

Buxheti i Kosovës për vitin 2026 ishte rreth 4 miliardë euro.


Shtuar më 1.11.2026 08:32

Quantcast