Shqipëria ka modelin më të centralizuar të administrimit të shërbimeve publike digjitale në Ballkanin Perëndimor, me Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) që kontrollon pjesën kryesore të zhvillimit dhe funksionimit të tyre. Ky përqendrim ka mundësuar që rreth 95% e shërbimeve të administratës qendrore të ofrohen plotësisht online në fund të vitit 2025, por ka krijuar njëkohësisht varësi të lartë nga kapacitetet e një institucioni të vetëm dhe ka lënë pas bashkitë, universitetet dhe institucionet e tjera të pavarura.
Sipas raportit të OECD-së, Shqipëria përfaqëson rastin më të qartë në rajon ku një institucion qendror jo vetëm koordinon politikat e digjitalizimit, por zhvillon dhe administron drejtpërdrejt edhe zgjidhjet teknologjike që përdoren nga ministritë dhe agjencitë e tjera.
AKSHI, institucion në varësi të Kryeministrisë, ushtron një rol të dyfishtë. Nga njëra anë, merr pjesë në përcaktimin e qasjeve të përbashkëta për projektimin e shërbimeve elektronike dhe, nga ana tjetër, ofron portalin kombëtar, formularët elektronikë, sistemet e administrimit të kërkesave dhe zgjidhjet teknike që përdoren nga institucionet.
Për rrjedhojë, ministritë dhe agjencitë e administratës qendrore zakonisht nuk ndërtojnë sisteme të veçanta për çdo shërbim, por mbështeten te infrastruktura e përbashkët e zhvilluar dhe administruar nga AKSHI.
OECD vlerëson se ky organizim ka mundësuar zgjerim të shpejtë të shërbimeve elektronike, standardizim të procedurave dhe shmangien e fragmentimit që karakterizon administratat e disa vendeve të tjera të rajonit.
Megjithatë, përqendrimi i përgjegjësive krijon edhe një dobësi të rëndësishme: kapacitetet për realizimin e projekteve, përcaktimi i prioriteteve dhe menaxhimi i rreziqeve në AKSHI kthehen në faktorë vendimtarë për funksionimin e gjithë sistemit.
Raporti sjell si shembull shërbimet për përdoruesit ndërkufitarë. Nëse AKSHI nuk përfshin në metodologjitë e projektimit funksionalitete të përshtatura për këta përdorues, ato përgjithësisht mungojnë edhe në shërbimet e tjera elektronike të administratës.
95% e shërbimeve qendrore online, por treguesi evropian vetëm 61 pikë
Pavarësisht përparimit në administratën qendrore, OECD evidenton se digjitalizimi nuk është shtrirë në mënyrë të njëtrajtshme në të gjithë sektorin publik.
Në fund të vitit 2025, rreth 95% e shërbimeve të administratës qendrore ofroheshin plotësisht online përmes e-Albania, nga paraqitja e aplikimit deri te marrja e dokumentit përfundimtar.
Megjithatë, në treguesin europian DESI për disponueshmërinë e shërbimeve publike online, Shqipëria regjistron vetëm 61 pikë nga 100.
Sipas raportit, një kufizim i rëndësishëm i modelit shqiptar është se AKSHI mbulon kryesisht shërbimet e administratës qendrore, ndërsa bashkitë dhe institucionet e pavarura, si universitetet, vazhdojnë të zhvillojnë pjesërisht zgjidhje të tyre elektronike.
Ky rezultat kufizon përdorimin e procedurave të standardizuara dhe të sistemeve të përbashkëta, duke krijuar diferenca të konsiderueshme në cilësinë dhe nivelin e digjitalizimit të shërbimeve.

OECD: Centralizimi ka përfitime, por rrit varësinë nga një institucion
Në analizën krahasuese të vendeve të Ballkanit Perëndimor, OECD konstaton se modelet më të centralizuara përgjithësisht janë shoqëruar me shërbime më të standardizuara dhe zbatim më të qëndrueshëm të projekteve.
Në të kundërt, modelet më të decentralizuara, si ai i Bosnjë-Hercegovinës, shfaqin më shpesh fragmentim të portaleve, cilësi të pabarabartë të shërbimeve dhe rrezik më të lartë për zhvillimin e sistemeve teknologjike që nuk komunikojnë me njëri-tjetrin.
Megjithatë, OECD thekson se suksesi i digjitalizimit nuk përcaktohet automatikisht nga shkalla e centralizimit. Vende si Estonia, Finlanda dhe Spanja kombinojnë ofrimin e decentralizuar të shërbimeve me koordinimin e fortë qendror, infrastrukturën e përbashkët dhe kontrollin e cilësisë.
Në rastin e Shqipërisë, përqendrimi i përgjegjësive te AKSHI ka ulur fragmentimin dhe ka mundësuar zhvillimin e shpejtë të shërbimeve elektronike, por ka krijuar një varësi të lartë nga kapacitetet dhe qasjet e agjencisë.
OECD evidenton se zgjerimi i digjitalizimit përtej institucioneve të administratës qendrore mbetet një nga sfidat kryesore. /ekofin.al

