“Nuk bëhem kokë turku”, Stresi braktis protestën për largimin e Ramës
“Po largohem se ju nuk doni ta rrëzoni”
Reperi i njohur Arkimed Lushaj, i njohur publikisht si Stresi, ka paralajmëruar tërheqjen nga protesta kundër qeverisë së Edi Ramës, duke shprehur hapur pakënaqësinë për mënyrën se si po zhvillohet qëndresa përpara Kryeministrisë.
Përmes disa postimeve në Instastory, Stresi ka lëshuar kritika të forta ndaj pjesëmarrësve në protestë, duke pretenduar se mungon vullneti për të çuar deri në fund objektivin që, sipas tij, duhet të jetë kryesor: largimi i kryeministrit Edi Rama nga pushteti.
Reperi ka bërë të ditur se nuk dëshiron të vazhdojë të qëndrojë në protestë, pasi nuk pranon të konsumojë energjitë e tij në një qëndresë që, sipas vlerësimit të tij, nuk po prodhon rezultatin e synuar.
“Byeeeeeeeeee. Kokë turku nuk bohem. Nuk dun me e rrezul Ramën. E gzoftshi! Sapo të largohem sonte, kismet nesër jau spjegoj që s’dun me e rrëxu Edi Ramën”, shkruan Stresi.
Në një tjetër reagim, ai ka kundërshtuar vazhdimin e protestës në formën aktuale, duke argumentuar se qëndresa e përditshme, pa një përshkallëzim të veprimeve, nuk mund të sjellë ndryshimin politik që kërkohet.
“Nuk erdha me u rraskapit çdo ditë pa lidhje, sepse shteti është shtet dhe shteti do kryengritje me u rrëzu, ndryshe përditë ai fuqizohet dhe ty të shkatërron si popull”, shprehet reperi.
Deklaratat e Stresit vijnë në një moment kur protesta kundër qeverisë vijon, por pjesëmarrja në tubimin e fundit është raportuar e ulët. Pakënaqësia e tij duket se lidhet pikërisht me mungesën e një strategjie që, sipas tij, të çojë përtej protestave të përditshme dhe të ushtrojë presion real për largimin e qeverisë.
Reagimi i reperit pritet të tërheqë vëmendje, pasi ai ka qenë një nga personazhet publike që i është bashkuar qëndresës kundër kryeministrit, ndërsa tashmë vë në pikëpyetje vijimin e angazhimit të tij.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco




