Një shpërthim me lëndë të dyshuar plasëse është regjistruar në orët e para të mëngjesit të kësaj të diele në zonën e Tufinës, në Tiranë.
Sipas Policisë, rreth orës 02:45, një sasi e vogël lënde e dyshuar plasëse është hedhur në tarracën e një dyqani lulesh, në pronësi të një 65-vjeçari me inicialet A. K.
Nga shpërthimi janë shkaktuar vetëm dëme të vogla materiale, ndërsa nuk raportohet për persona të lënduar.
Policia bën me dije se, pas veprimeve të para hetimore, është bërë i mundur identifikimi i autorit të dyshuar. Për shkak të hetimeve në vijim, gjeneralitetet e tij nuk janë bërë publike.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon punën për dokumentimin e plotë të ngjarjes, përcaktimin e motivit dhe sqarimin e rrethanave të shpërthimit.
Njoftimi i Policisë:
“Tiranë/Informacion paraprak. Më datë 01.11.2026, rreth orës 02:45, në Tufinë, në tarracën e një dyqani lulesh, në pronësi të shtetasit A. K., rreth 65 vjeç, është hedhur dhe ka shpërthyer një sasi e vogël e dyshuar lënde plasëse.
Si pasojë janë shkaktuar dëme të vogla materiale.
Nga veprimet hetimore të kryera është bërë i mundur identifikimi i autorit të dyshuar. Për shkak të vijimit të hetimeve, nuk bëhen me dije gjeneralitetet e tij.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon veprimet për dokumentimin e plotë të rastit dhe sqarimin e rrethanave të tij.”
