Vendosni fjalën kyçe....

Protestat e dhunshme në Paris mbledhin 70 mijë persona, hidhen molotov drejt policisë


Protesta të ashpra shpërthyen në të gjithë Evropën mbrëmjen e së shtunës, ndërsa protestuesit më të dhunshëm në Francë hodhën bomba molotov drejt policisë ushtarake, hynë me forcë në banesa dhe u vunë flakën flamujve amerikanë dhe izraelitë.

Përplasjet në Paris, të cilat nisën në Porte de Bagnolet dhe ku morën pjesë të paktën 70 mijë persona, u përshkallëzuan pasi marshimi mbërriti në pikën përfundimtare, në Porte de Charenton. Policia u përpoq të shpërndante turmën me gaz lotsjellës, autobotë uji dhe granata shpërthyese, ndërsa protestuesit iu përgjigjën duke hedhur sende të forta drejt forcave të rendit, shkruan NY Post.

Një mjet ndezës i hedhur drejt policisë i përfshiu në flakë këmbën një efektivi. Momenti u regjistrua në pamje tronditëse, përpara se zjarri të shuhej.

“Njësia jonë u sulmua dhunshëm dhe krejt papritur nga disa protestues të dhunshëm”, tha efektivi, identiteti i të cilit nuk u bë publik, gjatë një bisede telefonike me kanalin francez LCI.

“Intensiteti ishte i jashtëzakonshëm. Nuk pati asnjë lloj përshkallëzimi gradual drejt dhunës… situata degradoi.”

Disa efektivë policie u plagosën nga flakët dhe u detyruan të tërhiqeshin nga pozicionet e tyre. Disa prej tyre u strehuan pas portave të një shkolle, ku ndërkohë po evakuonin nxënësit që ishin barrikaduar brenda.

“Këta kriminelë duan të shohin gjakun e policëve të derdhet dhe nuk heqin dorë nga kjo”, shkroi në X politikani i së djathtës Matthieu Valet, anëtar francez i Parlamentit Evropian.

“Pas çdo uniforme qëndron një njeri, një jetë, një familje. Sa tragjedi të tjera duhet të ndodhin që kjo të marrë fund?”

Sipas gazetës Le Monde, policia fajësoi “një bërthamë të fortë prej disa qindra protestuesish të dhunshëm” në pjesën e pasme të marshimit, të cilët sulmuan efektivët me sende të forta, përfshirë edhe një bombë molotov.

“Po ushtrohet dhunë e papranueshme ndaj forcave të rendit”, shkroi në X Xhandarmëria Kombëtare.

Një automjet Tesla u përfshi nga flakët, ndërsa protestuesit, disa prej të cilëve ishin veshur si palaço dhe shtriga për marshimin e Halloween-it, përdorën lazerë në përpjekje për të verbuar policët.

Protesta, të cilën policia ishte përpjekur ta mbante larg qendrës së qytetit, u përhap deri në sheshin Place de la Bastille. Atje policia ndërhyri kundër demonstruesve, duke i ndjekur në këmbë, ndërsa përdorej gaz lotsjellës dhe nisën të shpërthenin zjarre të tjera.

Qindra persona marshuan drejt sheshit historik, pavarësisht ndalimit të protestave në atë zonë. Policia nisi të godiste disa demonstrues me shkopinj gome, ndërsa njëri prej tyre, sipas raportimeve, kishte gjakderdhje në shpinë.

Në Marsejë, ku u mblodhën rreth 10 mijë persona, protestuesit e dhunshëm hynë me forcë në banesa, u vunë flakën kamerave të mbikëqyrjes dhe u hodhën sende të forta drejt policisë.

Në pamjet e shpërndara në rrjetet sociale shihen rreth një duzinë demonstruesish që hyjnë në një pallat banimi dhe ngjiten me nxitim nëpër shkallë.

Në Lion, militantë dogjën flamujt amerikanë dhe izraelitë mbi çatinë e një stacioni tramvaji.

Në pamje shihen tre protestues të veshur tërësisht me të zeza, me syze mbrojtëse dhe fytyrën të mbuluar, duke i shkelur flamujt përpara se t’u vinin flakën. Turma përreth duartrokiste dhe brohoriste: “Izrael, vrasës!”

Ndërsa në Bordo, ku dolën në rrugë 11 mijë persona, një figurë e madhe prej letre e presidentit francez Emmanuel Macron, me hundë të mprehtë dhe gojën e mbushur me para, u sulmua egërsisht nga një protestues i veshur me të zeza dhe me maskë derri në fytyrë. Turma brohoriste dhe kërkonte: “Macron, dorëheqje!”

Pas shkatërrimit të figurës, kartëmonedha false ranë shi në sheshin Place de la Victoire. Pamjet u shpërndanë në rrjetet sociale nga gazeta Le Figaro. Demonstruesit po protestonin kundër rritjes së kostos së jetesës.

Sipas Ministrisë së Brendshme franceze, rreth 320 mijë persona morën pjesë në protestat në të gjithë Francën. Deri më tani, policia ka kryer 511 arrestime në mbarë vendin, ndërsa në terren janë angazhuar 70 mijë efektivë policie.

Qeveria franceze fajësoi grupet ekstremiste të së majtës për sulmet ndaj forcave të rendit, duke iu referuar një niveli “të jashtëzakonshëm” dhune. Ajo e cilësoi hedhjen e një bombe molotov drejt një efektivi të policisë së trazirave në Paris si “tentativë për vrasje”.

“Jemi plotësisht të përgatitur për ata që kërkojnë konfrontim”, paralajmëroi ministri i Brendshëm, Laurent Nuñez.

Jashtë Francës, edhe në Gjermani shpërthyen përplasje me policinë, ndërsa protestat u përhapën në vende të tjera të Evropës.

Në Frankfurt, protestuesit sulmuan policinë me gurë dhe fishekzjarrë, duke plagosur disa efektivë, ndërsa në Hamburg u vunë flakën barrikadave. Një marshim në Këln u ndërpre pas hedhjes së gurëve dhe fishekzjarrëve.

Në Shqipëri, persona të maskuar hodhën bomba molotov dhe gurë drejt policisë në Tiranë, u vunë flakën kazanëve të mbeturinave dhe përdorën llastiqe për të qëlluar me gurë, ndërsa policia iu përgjigj me autobotë uji.