Avokati i Popullit ka reaguar pas përplasjeve mes protestuesve dhe Policisë së Shtetit gjatë protestës së 31 tetorit përpara Ministrisë së Arsimit në Tiranë.
Institucioni, i drejtuar nga Endrit Shabani, bëri të ditur se ka monitoruar protestën dhe ka kryer inspektime në disa komisariate të kryeqytetit. Sipas njoftimit, gjatë tensioneve Policia përdori gaz lotsjellës dhe ujë me presion nga katër automjete të posaçme.
Gjatë protestës janë shoqëruar nëntë persona, gjashtë prej të cilëve janë dërguar në Komisariatin nr. 1 dhe tre në Komisariatin nr. 3. Katër nga të shoqëruarit ishin të mitur.
Sipas Avokatit të Popullit, katër të rritur të shoqëruar në Komisariatin nr. 1 kanë deklaruar se ishin kalimtarë dhe nuk kishin marrë pjesë në protestë.
Dy të miturit e dërguar në këtë komisariat janë intervistuar në praninë e psikologut dhe përfaqësuesve të Agjencisë për Mbrojtjen e Fëmijëve, ndërsa janë njoftuar edhe familjarët e tyre. Gjatë inspektimit është konstatuar gjithashtu mungesa e sistemit audioviziv për regjistrimin e intervistave.
Avokati i Popullit kërkon që të verifikohet në mënyrë të plotë ndërhyrja e Policisë dhe përdorimi i forcës, përfshirë gazin lotsjellës dhe ujin me presion. Sipas institucionit, çdo përdorim force duhet të jetë i domosdoshëm, i ligjshëm dhe proporcional.
Mes rekomandimeve janë edhe dokumentimi i arsyeve konkrete për çdo shoqërim, informimi i personave për arsyet e ndalimit, instalimi i sistemeve audiovizive në komisariate dhe garantimi i identifikimit të efektivëve përmes numrit në uniformë.
Avokati i Popullit u ka bërë thirrje personave që pretendojnë se u janë shkelur të drejtat gjatë protestës apo shoqërimit t’i drejtohen institucionit me ankesë individuale.
