Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar pas publikimit të detajeve nga dosja hetimore e SPAK për vilën e Belinda Ballukut në Dhërmi, ku u publikua një fotografi me një kuti të kuqe, mbushur plot me kartëmonedha 50 euroshe.

Bardhi e cilëson të papranueshme që miliona euro të dyshuara si përfitime nga korrupsioni të mos shoqërohen me përgjegjësi para drejtësisë, duke shtuar se ish-zëvendëskryeministrja vijon të ketë ndikim në vendimmarrjen publike.

Gazment Bardhi ngre shqetësim për faktin se, pavarësisht zgjerimit të akuzave ndaj Ballukut, SPAK nuk ka ndjekur të njëjtën qasje për kërkesën e arrestimit, si në fazën e mëparshme të hetimit. Bardhi vuri në dukje se ndaj ish-zv kryeministres rëndojnë akuza për 15 episode penale, të lidhura me pesë vepra penale, përfshirë korrupsionin dhe pastrimin e parave. Nënvizoi se Balluku duhet të japë përgjegjësi për episodet kriminale të korrupsionit madhor.

REAGIM I KRYETARIT TË GRUPIT PARLAMENTAR TË PD, GAZMENT BARDHI

E papranueshme!

Është e paimagjinueshme që miliona euro të përfituara nga korrupsioni, të fshehura në kuti dhe skema të ndryshme, të mos çojnë në përgjegjësi para drejtësisë, ndërsa Belinda Balluku që përballet me akuza të rënda vazhdon të ushtrojë ndikim mbi vendimmarrjen publike, që prek drejtpërdrejt jetën e qytetarëve.

Është një situatë që ngre pikëpyetje serioze për barazinë para ligjit dhe standardet e drejtësisë shqiptare. Si mund të shpjegohet që një zyrtare e lartë publike, ndaj së cilës janë ngritur akuza për 15 episode penale, të lidhura me pesë vepra penale, përfshirë korrupsionin dhe pastrimin e parave, të gjykohet në gjendje të lirë, pavarësisht rrezikut që mund të paraqitet për intimidimin e dëshmitarëve apo cenimin e provave?

Belinda Balluku është ndër zyrtarët më të lartë publikë ndaj të cilëve SPAK ka ngritur akuza të kësaj natyre dhe rëndësie. Megjithatë, çështja që kërkon një shpjegim publik është fakti se, pas zgjerimit të akuzave dhe rëndimit të pozitës së saj penale, nuk është ndjekur e njëjta qasje lidhur me kërkesën për arrestim.

Kujtojmë se në një fazë të mëparshme të hetimit, kur ndaj saj rëndonin vetëm një pjesë e akuzave që janë sot në dosjen penale, SPAK iu drejtua Kuvendit me kërkesën për heqjen e imunitetit dhe dhënien e autorizimit për arrestim. Edi Rama e kundërshtoi këtë kërkesë në Kuvend, duke argumentuar se në atë kohë nuk kishte ende një akuzë për korrupsion.

Sot, kur akuzat janë shtuar dhe përfshijnë edhe korrupsionin e pastrimin e parave, publiku ka të drejtë të pyesë: Pse standardi i ndjekur nga SPAK ka ndryshuar? Cilat janë arsyet konkrete që justifikojnë këtë ndryshim? Dhe mbi të gjitha, a po zbatohet i njëjti standard ligjor për të gjithë, pa dallim pushteti apo funksioni?

Drejtësia nuk mund të jetë selektive. Nuk mund të ketë një standard për kundërshtarët politik të Edi Ramës dhe një tjetër për zyrtarët e pushtetshëm bashkëpunëtor të ngushtë të tij. Nuk mund të kërkohet besim te drejtësia, nëse vendimet e saj nuk shoqërohen me transparencë dhe shpjegime bindëse.

Askush nuk duhet të jetë mbi ligjin. Asnjë pushtet nuk duhet të jetë mburojë ndaj drejtësisë. Dhe asnjë qytetar nuk duhet të ketë arsye të besojë se në Shqipëri drejtësia funksionon ndryshe për ata që kanë pushtetin.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: