Rajoni

“Drejtësi për Arlindën”, vazhdon protesta kombëtare në Prishtinë!

Protesta kombëtare kundër vrasjes së grave dhe vajzave në Kosovë, sot vazhdon në orën 17:00, në sheshin “Zahir Pajaziti” të Prishtinës.

Për të pestën ditë radhazi, organizatorët ftojnë qytetarët të bashkohen për të kërkuar drejtësi, pas rastit më të fundit, ekzekutimit nga kunati të Arlinda Zekajt në Pejë, si dhe të sigurisë e lirisë për gratë në Kosovë.

Në njoftimin drejtuar mediave, shprehet pakënaqësia lidhur me mungesën e reagimit institucional ndaj kërkesave të protestuesve. Njëherazi, theksohet vendosmëria për të mos u ndalur.

Kërkesat tona janë të qarta, por shteti vazhdon të refuzojë të na dëgjojë. Ne nuk zmbrapsemi dhe çdo ditë që çel do të na gjejë në sheshe e përballë institucioneve që e dështuan Arlindën e po vazhdojnë ta dështojnë çdo çikë e gru në Kosovë.

Këtë të diel, mos rrini në shtëpi, dilni e bashkohuni në protestë! Le ta çojmë amanetin e Arlindës në vend!

Arlinda Zekaj u vra më 25 tetor në Vitomiricë të Pejës. I arrestuar për këtë vrasje është kunati i saj. Viktima dhe bashkëshorti kishin përplasje për kujdestarinë e djalit të tyre të mitur.

Me ndarjen e çiftit që kishte jetuar në Amerikë, babai i fëmijës kërkonte që ai të qëndronte në Deçan e të mos i kthehej 49 vjeçares, me pretendimin se sipas traditës shqiptare, i takonte familjes së tij ta mbante.

Përballë kërcënimeve të vazhdueshme, Arlinda kërkonte ndërhyrjen efikase të institucioneve, por pa rezultat. Kjo ngjarje çoi në dorëheqjen e kreut të Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha.

JavaScript is required for tabnav widget to work properly.