Një tjetër letër e Arlinda Zekajt, e cila u vra një javë më parë në Vitomiricë të Pejës nga ish-kunati i saj, është bërë publike. Në dokumentin e publikuar nga mediat në Kosovë, ajo u drejtohej institucioneve për të kërkuar mbrojtje, duke shprehur frikën për sigurinë e saj dhe të fëmijës.
Letra mban datën 7 shtator dhe i është drejtuar gjyqtarit Migjen Kastrati, me kërkesën për caktimin e një urdhri mbrojtjeje.
Në përmbajtjen e saj, Arlinda shpreh shqetësimin për jetën dhe sigurinë personale, ndërsa ngre edhe shqetësimin për vendndodhjen e fëmijës së saj.
“Shkruaj si një grua që tani po e ndjen rrezikun për jetën e vet, ashtu edhe për jetën e fëmijës që nuk e di ku e kam”, thuhet në një prej pjesëve të letrës.
Dokumenti është publikuar nga asamblistja e PSD-së në Komunën e Deçanit, Natyra Kuçi.

Në reagimin e saj, Kuçi shkruan se kjo ishte vetëm njëra prej kërkesave të Arlindës drejtuar institucioneve për të siguruar mbrojtje.
Publikimi i dokumentit rikthen në vëmendje shqetësimet dhe kërkesat e përsëritura të Zekajt për mbrojtje përpara se të vritej. Letra ngre pikëpyetje mbi mënyrën se si institucionet trajtuan kërkesat e saj dhe masat e marra për sigurinë e saj dhe të fëmijës.

