Një banesë është shkrumbuar nga flakët në fshatin Hoxharë i Vjetër në Fier. Shkak i zjarrit dyshohet të jetë bërë një bombol gazi që përdorej për gatim, ndërsa 33-vjeçari që ndodhej brenda banesës ka shpëtuar pa pësuar lëndime.
Sipas banorëve të zonës, Redjan Llambro, i cili vuan nga epilepsia, në momentin që ka ndezur bombolën e gazit për të gatuar, ka pësuar një krizë epileptike dhe ka humbur kontrollin. Gjatë kësaj kohe, ai ka rrëzuar edhe bombolën, ndërsa flakët janë përhapur me shpejtësi në orenditë dhe ambientet e banesës.
Kanë qenë fqinjët ata që kanë vënë re tymin që dilte nga shtëpia dhe kanë ndërhyrë menjëherë, duke nxjerrë prej saj 33-vjeçarin. Pak minuta më vonë, në vendngjarje kanë mbërritur forcat zjarrfikëse, të cilat kanë bërë të mundur izolimin e flakëve dhe parandalimin e përhapjes së zjarrit në banesat përreth.
Në këtë banesë jetonin Redjan Llambro dhe nëna e tij, e cila në momentin e rënies së zjarrit nuk ndodhej në shtëpi. Përveç dëmeve të mëdha materiale, familja ka humbur të gjitha orenditë dhe pajisjet shtëpiake.
Të afërmit dhe fqinjët e familjes Llambro kanë bërë apel për ndihmë dhe solidaritet, pasi nëna dhe i biri jetojnë në kushte të vështira ekonomike dhe, pas kësaj ngjarjeje, kanë mbetur pothuajse pa asgjë.
Ata kërkojnë mbështetjen e institucioneve dhe qytetarëve për t’i ardhur në ndihmë kësaj familjeje, e cila ka nevojë urgjente për strehim dhe pajisjet bazë të jetesës.

