Tym i kuq para Qeverisë, protestuesit: Shteti duhet t’i trajtojë seriozisht jetët e grave
(E plotësuar) - Protestuesit, në ditën e pestë të marshit kundër femicidit në Prishtinë, kërkuan nga institucionet të trajtojnë seriozisht jetën e gruas, pasi siç thanë ata, nuk mund të presin më “ premtime e fjalë boshe” pas rastit tragjik në Vitomiricë të Pejës.
Marshi protestues nisi si zakonisht nga sheshi "Zahir Pajaziti" në drejtim të ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, ku protestuesit hodhën tym të kuq në shenjë revolte ndaj vrasjes së grave.
Protestuesit, po ashtu, kërkuan drejtësi për Arlinda Zekajn dhe dorëheqjen e ministrave Sveçla e Gërvalla.
Aktivistja Luljeta Demolli tha se nuk mund të presin më “premtime e fjalë boshe” dhe se kërkojnë nga shteti garanci se do ta trajtojnë me seriozitet çështjen e sigurisë së jetës së gruas.
"Për krejt gratë e vrarë dhe siguri për të gjitha ne. Ne duam përgjigje. Duam pozicionime, e duam garanci që ky shtet do t'i trajtojë jetët tona seriozisht. Varrezat e grave janë të mbushura, varrezat e grave janë të mbushura me premtime që janë ofruar përgjatë viteve me fjalë të kota, me konferenca, me papërgjegjësi kriminale e dembelizëm institucional dhe me simbolika. Andaj edhe ne nuk mund të presim më për fjalë boshe, për protokolle e për shkresa", tha ajo.
Sipas saj, Arlinda Zekaj “ka mësuar se si funksionon patriarkati në shoqëri”, që sipas saj, “nis nga familja”.
"Jam këtu sepse Linda na e ka lënë një amanet që ne duhet jo veç ta kuptojmë mirë, por edhe ta dërgojmë deri në fund. Linda na ka treguar se si funksionon patriarkati, i cili nis që prej familjes, që dhunon si fizikisht, ashtu edhe ekonomikisht e emocionalisht, dhe shkon deri tek instancat më të larta të shtetit, që ta shpërfillin deri në vrasje jetën tënde kur ti je grua", tha Demolli.
Protestuesit lexuan letrën e Arlinda Zekajt që ia kishte dërguar kryeprokurores para se të ndodhë tragjedia. Ndërkohë gjatë gjithë kohës, në të gjitha hapësirat drejt destinacionit ka prani policore për të ruajtur rendin e protestës.
Arlinda Zekaj u vra në Vitomiricë të Pejës, më 25 tetor, nga kunati i saj. 11 zyrtarë policorë janë suspenduar në lidhje me rastin. Po ashtu, janë suspenduar kryeprokurorja dhe prokurorja e Pejës, ndërsa dorëheqje ka dhënë drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha.
Për të pestën ditë radhazi, protestohet për rastin e Arlinda Zekajt
Me pankartat “Ultimatumi i popullit” dhe “Vrasja e grave të trajtohet si urgjencë kombëtare”, e me fishkëllima dhe lëshim të altoparlantit, ka nisur sonte marshi protestues nga sheshi “Zahir Pajaziti” në Prishtinë, në shenjë revolte ndaj vrasjes së grave.
"Burrat vrasin gratë, shteti iu ndihmon", "Shteti i ka duart me gjak", ishin disa nga thirrjet në protestë.
Protestuesit me këtë rast vazhduan të kërkojnë dorëheqjen e ministrave të Drejtësisë, Donika Gërvalla dhe atij të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.
Në marshin drejt Qeverisë, ata lexuan letrën e Arlinda Zekajt që ia kishte dërguar kryeprokurores para se të ndodhë tragjedia. Ndërkohë gjatë gjithë kohës, në të gjitha hapësirat drejt destinacionit ka prani policore për të ruajtur rendin e protestës.
Protesta e pestë radhazi po mbahet pas vrasjes makabre së Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës, më 25 tetor, nga kunati i saj.
Kujtojmë, 11 zyrtarë policorë janë suspenduar në lidhje me rastin tragjik në Vitomiricë të Pejës.
Po ashtu, janë suspenduar kryeprokurorja dhe prokurorja e Pejës, ndërsa dorëheqje ka dhënë drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha.





























