Shqipëria mbetet plotësisht e përkushtuar ndaj sigurisë dhe mbrojtjes së Kosovës, duke e konsideruar këtë angazhim një përgjegjësi që tejkalon çdo ndarje politike.
Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, në intervistën për emisionin “Hard Talk” në platformën Media Radar riafirmoi mbështetjen e Shqipërisë për Kosovën, duke theksuar se lidhja mes shqiptarëve dhe përgjegjësia për sigurinë e njëri-tjetrit janë të palëkundura.
I pyetur se sa është Shqipëria e përkushtuar në terma praktikë ndaj mbrojtjes së Kosovës, Nufi dha një përgjigje të drejtpërdrejtë:
“100%. Nuk ka qeveri në Tiranë që mund të qëndrojë nëse nuk jepet 100% për mbrojtjen e Kosovës. Nuk bëhet fjalë më për të hapur kampe refugjatësh si në ’99-ën; sot realiteti është krejt ndryshe. Kosova është republikë e konsoliduar, me institucione dhe njohje ndërkombëtare, e mbështetur nga SHBA dhe Evropa. Shqiptarët në të dy anët e kufirit janë një, pavarësisht se kush është në pushtet.”
Ministri përmendi edhe angazhimin konkret të Shqipërisë në mbështetje të sigurisë së Kosovës, duke iu referuar dërgimit të helikopterit shqiptar në misionin e KFOR.
“Ne sapo kemi çuar një helikopter në Kosovë, që është një gjest konkret”, deklaroi ministri Nufi.
Duke folur për sigurinë rajonale, ministri vlerësoi rolin e NATO-s dhe të pranisë së KFOR-it në Kosovë, duke theksuar rëndësinë e pozicionimit strategjik të Shqipërisë dhe bashkëpunimit me aleatët.

