Autoritetet ruse kanë ndaluar një të mitur, i dyshuar për përfshirje në kërcënimin terrorist ndaj Rezervës së Muzeut Tsaritsyno në Moskë. Arrestimi vjen pas alarmit të sigurisë të lëshuar nga Ambasada Amerikane, e cila paralajmëroi për një kërcënim të besueshëm për një ngjarje me viktima masive në këtë destinacion.
Ambasada amerikane në Rusi lëshoi paralajmërimin të shtunën, duke bërë të ditur se Uashingtoni po koordinonte përgjigjen me autoritetet ruse. Pa dhënë detaje të mëtejshme mbi natyrën e kërcënimit, ambasada u bëri thirrje qytetarëve të shmangnin zonën, të qëndronin vigjilentë dhe të mos frekuentonin ambientet e mbipopulluara.
Të dielën, mediat shtetërore ruse publikuan një deklaratë të Shërbimit Federal të Sigurisë (FSB), ku konfirmohej ndalimi i një shtetasi të mitur rus në lidhje me rastin.
Sipas FSB-së, i mituri kishte publikuar në platformën TikTok fotografi ku shfaqej i veshur me veshje taktike, balaklavë, kapelë, syze dielli dhe kufje, si dhe me një objekt që i ngjante një arme automatike. Ai kishte publikuar gjithashtu fotografi të realizuara në Muzeun-Rezervë Tsaritsyno, të shoqëruara me mbishkrimin: “Gjeta një vend”.
Të shtunën në mbrëmje, ambientet e muzeut dhe parkut Tsaritsyno u mbyllën “për arsye teknike”, ndërsa vizitorët u evakuuan. Sipas raportimeve të mediave ruse, kompleksi u rihap normalisht më 1 nëntor.
Edhe Ambasada Gjermane në Rusi raportohet se kishte lëshuar një paralajmërim për një kërcënim të mundshëm sigurie në këtë rezervat muzeal.
Ngjarja ka rikthyer vëmendjen te sulmi terrorist i marsit 2024 në sallën e koncerteve Crocus City Hall, pranë Moskës. Edhe në atë rast, Ambasada Amerikane kishte paralajmëruar për një kërcënim të mundshëm disa ditë përpara sulmit të 22 marsit, i cili la më shumë se 150 persona të vrarë dhe qindra të plagosur.
Në ditët para sulmit, presidenti rus Vladimir Putin i kishte cilësuar paralajmërimet e disa institucioneve zyrtare perëndimore për mundësinë e sulmeve terroriste në Rusi si “provokuese”.
Në atë kohë, ai deklaroi se “kjo përbën shantazh të hapur” dhe “një përpjekje për të destabilizuar shoqërinë”.

