Vendosni fjalën kyçe....

Salianji për kutinë me euro në vilën e Ballukut: Rama të mbajë përgjegjësi politike, SPAK të verifikojë paratë


Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, ka reaguar lidhur me fotografinë ku shfaqet një kuti e mbushur me kartëmonedha euro, e cila, sipas raportimeve, është gjetur në telefonin e bashkëshortit të pastrueses së vilës së Belinda Ballukut në Dhërmi.

Salianji kërkon që kryeministri Edi Rama të mbajë përgjegjësi politike për çështjet e korrupsionit ku, sipas tij, janë përfshirë funksionarë të qeverisë.

Ai i ka bërë thirrje SPAK-ut të verifikojë fizikisht paratë, të përcaktojë kujt i përkasin dhe nga e kanë origjinën, si dhe të sqarojë nëse ekzistojnë arsye për vendosjen e masave të sigurisë ndaj personave përgjegjës.

Në reagimin e tij, ish-deputeti e lidh këtë çështje me vështirësitë ekonomike të qytetarëve dhe kërkon transparencë për pasurinë e zyrtarëve publikë.

“Një kuti plot me euro. Tufa-tufa me kartëmonedha 50-euroshe. Një vilë luksoze në Dhërmi. Dhe një dosje e SPAK që ngre pikëpyetje të rënda për pasurinë e ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku”, shkruan Salianji.

Ai kërkon që organi i posaçëm i akuzës t’u japë përgjigje disa pyetjeve, mes tyre nëse paratë e shfaqura në fotografi janë verifikuar fizikisht, kujt i përkasin dhe nga e kanë origjinën. Salianji ngre gjithashtu pikëpyetje për mungesën e masave të sigurisë, duke e krahasuar këtë situatë me raste kur, sipas tij, qytetarë janë arrestuar edhe për shuma shumë më të vogla.

Ish-deputeti i drejtohet edhe Partisë Demokratike, duke kërkuar publikimin e plotë të materialeve të dosjes së paraqitur në Këshillin e Mandateve. Sipas tij, transparenca është e nevojshme për të shmangur çdo dyshim mbi përfshirjen e mundshme të drejtuesve të lartë të PD-së në komunikime apo marrëdhënie të dyshuara korruptive.

Në përfundim, Salianji thekson se përgjegjësia dhe transparenca duhet të vlejnë për të gjithë, ndërsa kërkon që askush të mos jetë mbi ligjin.