Një gjykatë federale në Shtetet e Bashkuara ka rrëzuar të dielën padinë e administratës së presidentit Donald Trump, e cila synonte të pengonte shtetin e Alaskës të certifikonte humbjen e senatorit republikan Dan Sullivan në zgjedhjet e mesmandatit, në rast se votat për një kandidat tjetër me të njëjtin emër mund të kishin ndikuar në rezultatin përfundimtar.
Vendimi u mor nga gjyqtarja federale Sharon Gleason në Anchorage dhe përbën një tjetër pengesë për përpjekjet e Trump për të zgjeruar rolin e qeverisë federale në administrimin e zgjedhjeve amerikane, përcjell Reuters.
Sipas Kushtetutës së SHBA-së, organizimi dhe administrimi i zgjedhjeve janë përgjegjësi e shteteve. Çështja lidhej me garën ku ish-përfaqësuesja demokrate në Kongres, Mary Peltola, po sfidon senatorin Dan Sullivan.
Rezultati i kësaj gare mund të jetë i rëndësishëm për përcaktimin nëse republikanët e Trump do të ruajnë kontrollin e Senatit pas zgjedhjeve të mesmandatit.
Administrata Trump ka ndjekur një qasje gjithnjë e më të ashpër ndaj mbikëqyrjes së procesit zgjedhor, duke u kërkuar shteteve të dhëna për regjistrimin e votuesve dhe duke argumentuar se nevojiten masa më të rrepta për të garantuar besimin e publikut te zgjedhjet.
Këto përpjekje janë kundërshtuar nga zyrtarë zgjedhorë, përfshirë demokratë dhe disa republikanë, të cilët i konsiderojnë ato si tejkalim të kompetencave të qeverisë federale.