Shqipëria ka krijuar varësi nga importi i drithërave: sipas KLSH-së, gjatë periudhës 2020–2025 në vend kanë hyrë 2.1 milionë tonë drithëra, prej të cilave 1.5 milionë tonë vijnë nga Serbia dhe Rusia. Ligjërisht, drithërat e importuara duhet të lejohen në treg vetëm nëse përmbushin kërkesat e cilësisë dhe sigurisë ushqimore, ndërsa Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) së bashku me 10 Pikat e Inspektimit Kufitar (PIK) janë të detyruar të kontrollojnë çdo ngarkesë që hyn në vend.
Auditi i KLSH-së evidenton mangësi të rëndësishme në kontrollin e sigurisë ushqimore. Laboratorët e AKU-së analizojnë vetëm një gamë të kufizuar treguesish, kryesisht parametra bazë fiziko-kimikë si lagështia dhe aciditeti, të cilët sipas auditorit nuk japin mjaftueshëm informacion për cilësinë e grurit apo miellit që përdoren në industrinë e bukës. Analiza më të avancuara për kontaminantë kimikë, mbetje pesticide, mykotoksina apo metale të rënda nuk përfshihen në kontrollet rutinë.
Mungesa e reagentëve dhe problematika teknike bëjnë që laboratorët të mos funksionojnë vazhdimisht; janë evidentuar ndërprerje të herëpashershme të analizave dhe, në disa raste, pamundësi për kryerje të analizave mikrobiologjike për shkak të mosfunksionimit ose mungesës së pajisjeve. PIK-të po ashtu nuk janë të pajisura me infrastrukturën e nevojshme për kontroll fizik efektiv të drithërave. Si shembull përmendet PIK-u Hani i Hotit, ku pranë godinës janë tri magazina jashtë funksioni; në të gjitha Drejtoritë Rajonale të AKU-së magazinat për periudhën 2020–2025 nuk kanë qenë të disponueshme për ruajtjen e produkteve.
Si pasojë, kontrolli fizik realizohet në terren të hapur, me inspektorë që ngjiten në kamionë dhe kryejnë verifikime vizuale nga pozicione të kufizuara. Mungesa e magazinave dhe ndarjeve fizike ka detyruar në raste strehimin e produkteve problematike së bashku me të tjerat, pa masa sigurie, duke rritur rrezikun e kontaminimit të kryqëzuar. Në gjendjen aktuale, me fermerë që lënë tokat djerrë për shkak të kostove të larta të prodhimit, Shqipëria rrit varësinë ndaj grurit të huaj; megjithatë mangësitë e laboratorëve dhe magazinave bëjnë që siguria ushqimore të mbetet më shumë në letra dhe ligje sesa e garantuar në produkt.
