Tre persona kanë mbetur të lënduar pas një aksidenti të shumëfishtë të ndodhur mbrëmjen e së dielës në autostradën Rrogozhinë-Lushnjë, pranë rrethrrotullimit të Grabjanit, në drejtim të Lushnjës.
Në aksident janë përfshirë tre automjete, të cilat janë përplasur njëri pas tjetrit. Sipas të dhënave paraprake, ngjarja dyshohet se nisi pasi drejtuesi i një automjeti humbi kontrollin dhe makina u përmbys në rrugë.
Për të shmangur përplasjen me automjetin e përmbysur, drejtuesi i një makine tip “Benz” ka frenuar, por kjo nuk ka arritur të parandalojë përplasjen zinxhir të mjeteve të tjera.
Tre persona kanë marrë lëndime, ndërsa njëri prej drejtuesve është transportuar në spitalin e Lushnjës për ndihmë mjekësore. Sipas informacionit paraprak, ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Policisë Rrugore, të cilat po punojnë për disiplinimin e trafikut të rënduar dhe dokumentimin e aksidentit. Ndërkohë, zjarrfikësit e Lushnjës po pastrojnë autostradën nga mbetjet e automjeteve të përfshira në përplasje.

