Regjisori i njohur amerikan Michael Mann është plagosur aksidentalisht me armë zjarri gjatë një stërvitjeje në poligonin e qitjes në Los Angeles. 83-vjeçari është transportuar në spital, pasi arma është shkrepur pa dashje dhe e ka goditur në këmbë.
Sipas raportimit të portalit TMZ, incidenti ndodhi në poligonin “The Range LA”, teksa Mann po përpiqej të vendoste armën në këllëf. Policia e Los Angelesit (LAPD) konfirmoi se efektivët e saj ndërhynë në vendngjarje, ndërsa në raportin policor rasti është cilësuar si plagosje aksidentale, pa qëllim.
Ngjarja vjen në një periudhë kur regjisori është i angazhuar në përgatitjet paraprake për vazhdimin e filmit të tij të njohur “Heat”, një prej produksioneve më të spikatura të karrierës së tij.
Michael Mann ka një karrierë disa dekadëshe në Hollywood dhe ka firmosur një sërë filmash të vlerësuar nga publiku dhe kritika. Mes veprave më të njohura të tij janë “Thief” (1981), “Manhunter” (1986), “The Last of the Mohicans” (1992), “Heat” (1995), “The Insider” (1999), “Ali” (2001), “Collateral” (2004), “Miami Vice” (2006), “Public Enemies” (2009) dhe “Ferrari” (2023).

