Presidenti amerikan Donald Trump ka zhvilluar një bisedë telefonike me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu të shtunën në mëngjes, në një kohë kur Uashingtoni po shqyrton mundësinë e rifillimit të sulmeve ushtarake ndaj Iranit.
Sipas The Wall Street Journal, që citon persona në dijeni të telefonatës, kontakti mes dy liderëve vjen pas diskutimeve të Trump me drejtuesit e lartë ushtarakë amerikanë për opsionet e një ndërhyrjeje të re.
Ndërkohë, duke folur me gazetarët në Florida, Trump deklaroi se SHBA ka ende një ose dy objektiva për të goditur në Iran, duke shtuar se mund ta realizojë këtë brenda 10 minutash. Megjithatë, sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi se Trump nuk ka marrë ende një vendim për sulme të reja dhe se preferon një zgjidhje diplomatike.
Nga ana tjetër, ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, deklaroi se Teherani shpreson që diplomacia të mbizotërojë ndaj opsionit ushtarak, por paralajmëroi se forcat e armatosura iraniane janë të përgatitura për çdo skenar. Ndërkohë, negociatorët iranianë dhe ndërmjetësit nga Katari kanë vijuar bisedimet në Doha për një marrëveshje që mund të çojë në rihapjen e Ngushticës së Hormuzit brenda dy ditësh, nëse SHBA pranon kushtet e Teheranit.
Sipas raportimeve të Reuters dhe Al Jazeera, deri më tani nuk është arritur një marrëveshje përfundimtare, ndërsa zhvillimet diplomatike vijojnë në sfondin e kërcënimeve për një përshkallëzim të ri ushtarak.
© SYRI.net