Messi i mbyll derën rikthimit në Argjentinë? Zbulohet plani i yllit për të ardhmen
Rikthimi i Lionel Messit te Newell’s Old Boys, skuadra ku nisi rrugëtimin e tij në futboll, duket se do të mbetet ende një ëndërr për tifozët argjentinas. Pavarësisht dëshirës për ta parë legjendën të mbyllë karrierën në vendlindje, e ardhmja e tij duket e lidhur me Inter Miamin.
Sipas gazetarit Fabrizio Romano, tetë herë fituesi i Topit të Artë është i përqendruar te aventura në Shtetet e Bashkuara dhe synon të vazhdojë me klubin nga Florida të paktën deri në vitin 2028. Në këto kushte, një rikthim në kampionatin argjentinas nuk duket pjesë e planeve të tij për vitet e ardhshme.
Që prej transferimit te Inter Miami në verën e vitit 2023, Messi është shndërruar në figurën qendrore të projektit të klubit, duke rritur ndjeshëm vëmendjen ndaj skuadrës në MLS. Në Florida, argjentinasi ka gjetur mundësinë të vijojë karrierën duke kombinuar ambiciet sportive me jetën familjare.
Nëse qëndron deri në vitin 2028, Messi do të vazhdojë të luajë edhe pasi të ketë mbushur 40 vjeç. Megjithatë, vendimi përfundimtar për të ardhmen do të varet edhe nga gjendja e tij fizike dhe dëshira për të vazhduar në nivele të larta.
Për momentin, tifozëve të Newell’s Old Boys u mbetet të presin, ndërsa Inter Miami shpreson ta mbajë yllin argjentinas si pjesën kryesore të projektit të tij edhe për disa sezone të tjera.




