Sulmet ruse ndaj infrastrukturës energjetike kanë lënë qindra mijëra banesa pa energji elektrike në Ukrainë, ndërsa një armëpushim i kufizuar humanitar në rajonin e Khersonit, që u mundësoi civilëve të largoheshin nga qyteti i pushtuar i Oleshky-t, përfundoi të dielën në mbrëmje.
Armëpushimi, i cili hyri në fuqi javën e kaluar, përfundoi në orën 22:59 sipas kohës lokale ukrainase.
Marrëveshja kishte nisur të martën dhe, ndonëse ishte respektuar në zonën e përcaktuar, përplasjet ushtarake kishin vijuar në pjesë të tjera të vendit.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky deklaroi se Rusia kishte goditur gjatë natës infrastrukturën energjetike në katër rajone, duke ndërprerë furnizimin me energji për qindra mijëra banesa,sipas BBC.
Puna për riparimin e dëmeve vijoi gjatë gjithë ditës së diel, ndërsa në rajonin e Dnipropetrovskut shumica e abonentëve e rifituan energjinë deri në mbrëmje. Megjithatë, mbi 60 mijë konsumatorë vijonin të ishin pa energji elektrike.
Sulmet e përsëritura ndaj infrastrukturës energjetike kanë detyruar autoritetet të vendosin ndërprerje emergjente të energjisë në të gjithë vendin. Edhe në kryeqytetin Kiev, furnizimi me energji ndërpritet për pjesën më të madhe të ditës, ndërsa janë raportuar probleme edhe me furnizimin me ujë.
Një tjetër sulm gjatë natës në rajonin e Vinnytsias shkaktoi vdekjen e dy personave, mes tyre një vajzë 13-vjeçare, njoftoi Shërbimi Shtetëror i Emergjencave të Ukrainës.
Ndërkohë, Zelensky bëri të ditur se forcat ukrainase kishin goditur një objekt të rëndësishëm për prodhimin e karburantit të raketave në rajonin rus të Rostovit. Sulmi shkaktoi zjarr dhe dëmtoi katër struktura prodhimi, sipas presidentit ukrainas.
Zelensky e cilësoi intensitetin e sulmeve ruse gjatë javës së fundit si “jashtëzakonisht të lartë”, duke akuzuar Moskën se po përpiqet të përfitojë nga mungesa e raketave interceptuese kundër raketave balistike.
Ai tha se Ukraina po u kërkon çdo ditë Shteteve të Bashkuara, vendeve europiane dhe partnerëve të tjerë furnizime me raketa Patriot, të cilat konsiderohen ndër sistemet kryesore për neutralizimin e raketave balistike ruse.
Armëpushimi në Kherson kishte një karakter të rrallë humanitar dhe u ndërmjetësua me ndihmën e Melania Trump dhe Papa Leo XIV.
Fillimisht, ai ishte parashikuar vetëm për qytetin e Oleshky-t, i pushtuar nga Rusia që në ditët e para të pushtimit në shkallë të gjerë të Ukrainës, në shkurt të vitit 2022, por më pas u zgjerua edhe në zonat përreth.
Banorët e Oleshky-t kishin mbetur të bllokuar mes lumit Dnipro dhe forcave ruse. Rrugët e largimit ishin të minuara dhe të ekspozuara ndaj sulmeve me dronë, ndërsa popullsia përballej me mungesa të mëdha ushqimi, uji dhe energjie elektrike.
Disa banorë, sipas raportimeve, kishin arritur deri aty sa të gatuanin barishte të mbledhura në kopshte për të mbijetuar.
Armëpushimi u mundësoi civilëve që dëshironin të largoheshin nga qyteti.
Të shtunën u zhvilluan takime emocionuese mes familjarëve që nuk ishin parë prej vitesh. Sipas ombudsmanit ukrainas për të drejtat e njeriut, Dmytro Lubinets, personi më i moshuar që u evakuua ishte 94 vjeç, ndërsa më i vogli vetëm një vjeç.
Për shkak se pozicionet ushtarake ukrainase ndodhen vetëm rreth pesë kilometra larg Oleshky-t, të evakuuarit u detyruan të kalonin fillimisht përmes territoreve të pushtuara nga Rusia drejt jugut të saj.
Më pas udhëtuan me avion drejt Bjellorusisë, përpara se të transportoheshin me automjete përmes kufirit verior të Ukrainës.