OKB largohet nga Saharanë Perëndimore pas 35 vitesh: Ja arsyeja…

OKB largohet nga Saharanë Perëndimore pas 35 vitesh: Ja arsyeja…

23:11, 01/11/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Misioni i Kombeve të Bashkuara në Saharanë Perëndimore ka përfunduar zyrtarisht aktivitetin pas 35 vitesh, duke ngritur shqetësime për stabilitetin në një nga konfliktet më të gjata territoriale në Afrikë. Vendimi erdhi pas përplasjes diplomatike mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë në Këshillin e Sigurimit.

Misioni paqeruajtës i OKB-së në Saharanë Perëndimore, i njohur si MINURSO, ka nisur procesin e mbylljes më 1 nëntor 2026, pas dështimit të Këshillit të Sigurimit për të arritur një marrëveshje mbi vazhdimin e mandatit të tij.

Misioni ishte krijuar në vitin 1991, pas një armëpushimi mes Marokut dhe Frontit Polisario, me qëllim monitorimin e armëpushimit dhe organizimin e një referendumi për vetëvendosjen e popullsisë së Saharasë Perëndimore.

Megjithatë, referendumi nuk u zhvillua kurrë për shkak të mosmarrëveshjeve mes palëve mbi mënyrën e përcaktimit të personave që do të kishin të drejtën e votës.

Vendimi për përfundimin e misionit erdhi pas një përplasjeje në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Rusia vendosi veton ndaj një projekt-rezolute amerikane që mbështeste pretendimin e Marokut për sovranitet mbi territorin. Një propozim alternativ rus për zgjatjen e misionit gjithashtu nuk arriti të miratohej.

ImageMaroku e mirëpriti përfundimin e mandatit, ndërsa Fronti Polisario dhe Algjeria e kundërshtuan ashpër vendimin.

Sahara Perëndimore mbetet një territor i diskutuar ndërmjet Marokut dhe Frontit Polisario, i cili kërkon pavarësinë e tij. Konflikti ka ndikuar për dekada në marrëdhëniet mes Marokut dhe Algjerisë, dy vende që kanë ndërprerë marrëdhëniet diplomatike që prej vitit 2021.

Përfundimi i misionit të OKB-së mund të rrisë tensionet në rajon, veçanërisht në kushtet kur armëpushimi i vitit 1991 është dobësuar dhe përplasjet e armatosura kanë rifilluar që prej vitit 2020.

OKB-ja ka bërë thirrje për vetëpërmbajtje dhe respektimin e të drejtave të popullsisë së Saharasë Perëndimore, duke paralajmëruar për rrezikun e një përshkallëzimi të mëtejshëm.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco