Italiani Kimi Antonelli u shpall kampion bote për pilotë në Formula 1 për vitin 2026. Piloti i Mercedes u klasifikua në vendin e tretë në garën e sotme të zhvilluar në Meksikë, por e mjatueshme për të fituar matematikisht titullin edhe pse duhen ende 4 gara.
Ai shkroi historinë e këtij sporti, duke u shpallur kampion në moshën 20-vjecare e 68 ditë, duke u bërë piloti më i ri që e arrin këtë gjë. Një titull, i pari për Antonelli, që vjen në vitin e dytë në Formula 1 për talentin italian, që këtë sezon ka arritur deri më tani 9 fitore.
Një rezultat frut i një sezoni ku ka qenë më i shpejti në pistë, duke shfrytëzuar në maksimum potencialin e makinës Mercedes dhe la pas të gjithë rivalët. Ai mposhti konkurrencën e shokut të tij të skuadrës George Russell dhe të kampionëve të botës Lewis Hamilton e Max Verstappen.
Një titull mëse i merituar për Kimi Antonelli, të cilit i mjaftoi një sezon për t’u ambientuar me Formula 1, duke shpërthyer këtë sezon. 5 fitoret radhazi të arritura në pranverë e bënë kandidat potencial për titull, por më pas ai tregoi vijueshmëri edhe kur të tjerët gabonin.
Ai përfitoi nga gabimet dhe dështimet e rivalëve, tërheqjet nga gara që pati Russell, nga konflikti i brendshëm mes pilotëve të Ferrari si dhe nga ulje-ngritje të McLaren e Red Bull. Mes gjithë këtyre ngjarjeve, Antonelli ishte gjithnjë aty, te triumfi apo në podium, duke merituar titullin.








