Vendosni fjalën kyçe....

Vrasja e dyfishtë në Gjilan, vijojnë hetimet



Një burrë 27-vjeçar dhe vajza e tij, foshnjë disa muajshe, janë gjetur pa shenja jete të shtunën në mëngjes në fshatin Demiraj, në zonën e Zhegrës, në Komunën e Gjilanit.

Sipas raportimit të RTK-së nga vendi i ngjarjes, trupat e pajetë janë gjetur rreth orës 8:47, ndërsa Policia e Kosovës ka arrestuar një 65-vjeçar, babanë e viktimës 27-vjeçar.

Megjithatë, deri më tani nuk është konfirmuar zyrtarisht nëse i arrestuari dyshohet për vrasjen e të dy viktimave. Organet e rendit dhe të drejtësisë janë duke hetuar të gjitha rrethanat e rastit.

Në raportimet jozyrtare është përmendur mundësia që 27-vjeçari ta ketë vrarë fillimisht vajzën e tij, ndërsa më pas të jetë vrarë nga babai i tij. Por, këto informacione nuk janë konfirmuar nga autoritetet.

RTK ka raportuar se në vendin e ngjarjes nuk janë gjetur armë zjarri apo mjete të mprehta që mund të jenë përdorur në kryerjen e veprës.

Trupat e të dy viktimave janë dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për obduksion, i cili pritet të ndihmojë në përcaktimin e shkakut të vdekjes.

Ndërkohë, banorët e fshatit, të cilët kanë folur jashtë kamerave, janë shprehur të tronditur nga ngjarja. Sipas tyre, 65-vjeçari njihej për raporte të mira me banorët dhe fshati ishte i qetë.

RTK ka bërë të ditur se nëna e foshnjës nuk jetonte në të njëjtën shtëpi me 27-vjeçarin. Foshnja jetonte me babanë dhe gjyshërit e saj. Deri më tani nuk ka deklarata publike nga familjarët.

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, ka shprehur ngushëllime për familjarët dhe ka kërkuar nga organet e rendit dhe drejtësisë që rasti të zbardhet sa më shpejt.

Kjo është ngjarja e tretë e rëndë brenda më pak se një muaji në Komunën e Gjilanit.