Sulm kibernetik ndaj Ukrainës dhe Rusisë, hakohen aplikacionet e alarmeve emergjente, qytetarët marrin paralajmërime të rreme
Aplikacionet e alarmeve emergjente në Ukrainë dhe Rusi janë goditur nga sulme kibernetike, duke shkaktuar dërgimin e njoftimeve të rreme për sulme ajrore, rrezatim dhe emergjenca të tjera. Ngjarja ka ngritur shqetësime për sigurinë e sistemeve të komunikimit në një kohë tensionesh të larta mes dy vendeve. Autoritetet ukrainase kanë akuzuar Rusinë për sulmin ndaj aplikacionit të paralajmërimit për sulme ajrore. Qendra për Komunikime Strategjike e Ukrainës bëri të ditur përmes një postimi në platformën X se përdoruesit kishin marrë njoftime të pazakonta, përfshirë edhe një mesazh në gjuhën ruse që përmendte raketën “Oreshnik”.
Sipas raportimeve, aplikacioni ukrainas shpërndau paralajmërime të rreme të nivelit më të lartë për sulme ajrore në të gjithë vendin. Disa përdorues, përfshirë banorë të Kievit, morën gjithashtu njoftime për rrezik rrezatimi, sulme kimike dhe luftime në rrugë.
Autoritetet reaguan duke anuluar alarmet brenda rreth një ore dhe u kërkuan qytetarëve të mos u besonin mesazheve të dyshimta që shfaqeshin në aplikacion.
Disa orë pas incidentit në Ukrainë, edhe Moska njoftoi se aplikacioni i saj i alarmeve emergjente ishte goditur nga një “sulm masiv kibernetik”. Ministria ruse e Emergjencave konfirmoi se aplikacioni celular kishte probleme, por theksoi se sistemi kombëtar i alarmit publik vijonte të funksiononte normalisht.
Sipas autoriteteve ruse, qytetarët vazhdojnë të informohen përmes sirenave, altoparlantëve, mesazheve telefonike, si dhe transmetimeve televizive dhe radiofonike. Ministria nënvizoi se aplikacioni celular është vetëm një shërbim ndihmës dhe se sulmi nuk ka ndikuar në funksionimin e sistemit të përgjithshëm të alarmit.
Specialistët rusë po punojnë për rikthimin e plotë të aplikacionit, ndërsa autoritetet deklaruan se situata është nën kontroll. Ndërkohë, një grup ukrainas i lidhur me aktivitetet e spiunazhit pretendoi se përdoruesve në Rusi u ishin dërguar edhe paralajmërime të rreme për sulme bërthamore. Megjithatë, nuk është konfirmuar se sa gjerësisht janë shpërndarë këto njoftime.
Një tjetër element që ka tërhequr vëmendjen është koha kur ndodhën sulmet. Alarmet e rreme u shfaqën vetëm pak minuta përpara përfundimit të një armëpushimi lokal në rajonin e Khersonit, në vijën e frontit në Ukrainë. Armëpushimi, i cili ishte vendosur të martën e kaluar, përfundoi zyrtarisht të dielën (1 nëntor) në orën 23:00.
Deri më tani, nuk ka një konfirmim të pavarur se kush qëndron pas sulmeve kibernetike ndaj dy aplikacioneve. Ndërsa Ukraina ka drejtuar gishtin nga Moska, autoritetet ruse nuk kanë identifikuar autorët e sulmit ndaj sistemit të tyre.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



