Protestat/ Rama publikon videon, thirrje studentëve për dialog
Kryeministri Edi Rama ka përsëritur thirrjen për dialog me studentët protestues, duke i ftuar të ulen në tryezën e diskutimeve me qeverinë për të shqyrtuar kërkesat e tyre lidhur me arsimin. Përmes një videoje të publikuar këtë të hënë (2 nëntor) në rrjetin social Facebook, kreu i qeverisë iu është drejtuar studentëve me pamje nga “Sofra e Gurtë” para Kryeministrisë, duke kërkuar që shqetësimet dhe problematikat e ngritura prej tyre të diskutohen përmes dialogut.
Rama ka ritheksuar gatishmërinë e qeverisë për të dëgjuar kërkesat e studentëve dhe për të diskutuar mundësitë e gjetjes së zgjidhjeve për çështjet që lidhen me sistemin arsimor. Thirrja e kryeministrit vjen në një kohë kur protestat studentore kundër qeverisë vijojnë prej tre javësh. Krahas kërkesave që lidhen me arsimin, protestuesit kanë artikuluar si kërkesë kryesore dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Deri më tani, studentët nuk e kanë pranuar ftesën e përsëritur të kreut të qeverisë për t’u ulur në tryezën e bisedimeve me përfaqësuesit e qeverisë, duke këmbëngulur në qëndrimin dhe kërkesat e tyre.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



