Koreja e Jugut do të investojë rreth 16 miliardë dollarë në zhvillimin e inteligjencës artificiale dhe industrisë së gjysmëpërçuesve. Lajmi u bë i ditur nga presidenti Lee Jae Myung gjatë prezantimit të projektbuxhetit vjetor para parlamentit.
“Ne do të investojmë 21.3 trilionë won (14.3 miliardë euro ose 15.97 miliardë dollarë), pothuajse dyfishin e shumës së këtij viti, në inteligjencën artificiale dhe tri projektet madhore: gjysmëpërçuesit, inteligjencën artificiale fizike dhe qendrat e të dhënave për IA-në”, deklaroi Lee të hënën.
Ai bëri të ditur gjithashtu se 4.7 trilionë won do të alokohen për projekte të avancuara të zhvillimit të inteligjencës artificiale, me synimin për të krijuar një model kombëtar që të arrijë performancë në nivelin më të lartë botëror, përcjell DW.
Projektbuxheti për vitin 2027 arrin nivel rekord
Administrata e presidentit Lee ka prezantuar një projektbuxhet rekord për vitin e ardhshëm, me shpenzime qeveritare prej 820.9 trilionë won (rreth 551.5 miliardë euro ose 615.62 miliardë dollarë). Kjo përfaqëson një rritje prej 12.8% krahasuar me buxhetin e këtij viti.
Propozimi duhet të miratohet nga parlamenti, ku Partia Demokratike e Koresë, së cilës i përket presidenti, zotëron aktualisht shumicën.
Koreja e Jugut është ekonomia e katërt më e madhe në Azi dhe një prej aktorëve kryesorë në industrinë globale të teknologjisë. Në vend ndodhen dy nga prodhuesit më të mëdhenj në botë të çipave të memories, Samsung Electronics dhe SK Hynix.
Rritja e përdorimit të inteligjencës artificiale ka nxitur kërkesën globale për çipa memorie, duke i dhënë shtysë eksporteve dhe investimeve në këtë sektor.
Ekonomia e Koresë së Jugut regjistroi rritje më të shpejtë nga sa pritej gjatë tremujorit të tretë, e nxitur kryesisht nga eksportet e çipave dhe investimet.
Sipas të dhënave të publikuara, eksportet arritën në 930 miliardë dollarë gjatë periudhës janar-tetor dhe vendi është në rrugën e duhur për të kaluar kufirin e 1 trilion dollarëve këtë vit. Nëse e arrin këtë nivel, Koreja e Jugut do të bëhet vendi i katërt në botë që e kalon këtë prag, pas Shteteve të Bashkuara, Kinës dhe Gjermanisë.