KSHZ konfirmon fitoren e Jahijit në Bërvenicë me 265 vota epërsi

Arkin Jahiji nga Aleanca Kombëtare për Integrim (AKI), e cila drejtohet nga BDI, ka siguruar fitoren në balotazhin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme vendore për kryetar të Komunës së Bërvenicës.

Komisioni Shtetëror Zgjedhor publikoi të dhënat pasi u numëruan votat në të 24 qendrat e votimit, ku Jahiji mori 4,442 vota, që përbëjnë 50.36 përqind të totalit.

Të lidhura

None found

Rivali i tij, Stojanço Radichevski nga koalicioni “Maqedonia Jote” i udhëhequr nga OBRM-PDUKM, siguroi 4,177 vota, respektivisht 47.36 përqind. Hendeku mes dy kandidatëve ishte 265 vota.

Në balotazh morën pjesë gjithsej 8,820 zgjedhës, duke shënuar një pjesëmarrje prej 54.29 përqind, ndërsa 201 fletëvotime rezultuan të pavlefshme.

Rezultati i kësaj gare nxiti reagime në skenën politike. OBRM-PDUKM e akuzoi VLEN-in se kishte mbështetur kandidatin e BDI-së në raundin e dytë, kurse zyrtarë të kësaj partie përmendën edhe angazhimin e votuesve që jetojnë jashtë vendit.


Quantcast