Bota

Tragjedi në Florida, 9 viktima nga rrëzimi i avionit privat!

Nëntë persona humbën jetën nga rrëzimi i një avioni privat në Florida të SHBA-ve. Mjeti i tipit Learjet 60 u përplas në një zonë të banuar në Palm Beach County, duke shpërthyer në flakë.

Nga personat në bord, nuk pati të mbijetuar.

I nisur nga Aeroporti Ndërkombëtar Austin-Bergstrom në Teksas, avioni kishte si destinacion Aeroportin Eleuthera Veriore në Bahamas, kur u rrëzua pranë Lake Worth Beach-it.

Përplasja krijoi një krater të madh pranë hyrjes së një kompleksi banesash të lëvizshme. Për shkak të rrezikut, autoritetet urdhëruan evakuimin e rreth 600 banorëve, që u zhvendosën në dy qendra strehimi.

Fillimisht, piloti raportoi probleme me akullin dhe turbulenca të moderuara, duke kërkuar kushte më të favorshme fluturimi.

Situata u përkeqësua brenda pak sekondash. Piloti lëshoi sinjalin e emergjencës “Mayday”, duke raportuar se mjeti po humbiste lartësi.

Në komunikimin pasues u dëgjua paralajmërimi:

Do të përplasemi në tokë.

Në momentin e aksidentit, zona ishte përfshirë nga reshje të dendura shiu dhe stuhi. Por, shkaku i saktë i rrëzimit mbetet për t’u përcaktuar.

Bordi Kombëtar i Sigurisë së Transportit (NTSB) ka nisur hetimet për zbardhjen e rrethanave të aksidentit, ndërsa kompania Bombardier, prodhuesja e avionit, njoftoi se do të bashkëpunojë plotësisht me autoritetet amerikane.

JavaScript is required for tabnav widget to work properly.