Dy persona kanë humbur jetën në një hotel me pesë yje në qytetin e Bangalores, në Indi, pasi dyshohet se janë goditur nga rryma elektrike teksa ndodheshin në pishinën e kompleksit luksoz. Viktimat janë një anëtar i ekuipazhit të kompanisë ajrore gjermane Lufthansa dhe një biznesmen nga Sllovakia.
Ngjarja ndodhi të shtunën në hotelin Conrad Bengaluru, në zonën Halasuru. Policia identifikoi viktimat si 57-vjeçarin gjerman Alexander Maximilian Theis dhe 45-vjeçarin sllovak Juraj Horvat, i cili punonte si menaxher projektesh në kompaninë IBM.
Sipas hetimeve paraprake, dyshohet se një rrjedhje elektrike në pishinë shkaktoi tragjedinë. Bashkëshortja e njërit prej viktimave ka ngritur padi në polici, duke pretenduar se dy burrat u goditën nga rryma ndërsa përpiqeshin të dilnin nga uji dhe më pas u mbytën. Ajo ka akuzuar administratën e hotelit për neglizhencë në mirëmbajtjen e pishinës.
Në përpjekje për t’i shpëtuar, një punonjës i pishinës, 28-vjeçari Rahul Tiwari, dhe një turist amerikan, 41-vjeçari Matthew DeSantis, u dërguan në spital. Sipas raportimeve, gjendja e tyre shëndetësore është e qëndrueshme.
Të dy viktimat u transportuan me urgjencë në Spitalin Manipal, ku njëri u shpall i vdekur pas mbërritjes, ndërsa tjetri pësoi arrest kardiak dhe nuk mundi të shpëtohej nga mjekët.
Lufthansa konfirmoi vdekjen e një anëtari të ekuipazhit të saj gjatë një ndalese në aeroportin e Bangalores, duke shprehur ngushëllimet për familjen dhe të afërmit e tij. Ndërkohë, drejtuesit e hotelit deklaruan se janë thellësisht të tronditur nga ngjarja dhe se shkaqet ende nuk janë përcaktuar, duke premtuar bashkëpunim të plotë me autoritetet.
Hetuesit po kontrollojnë sistemin elektrik të pishinës, përfshirë ndriçimin nënujor dhe pajisjet mbrojtëse që duhet të parandalojnë rrjedhjet e rrymës. Pas incidentit, hoteli njoftoi se pishina do të qëndrojë e mbyllur për mirëmbajtje nga 31 tetori deri më 30 nëntor.
