Erik ten Hag ka rikthyer në vëmendje marrëdhënien e tensionuar me Cristiano Ronaldon, duke bërë deklarata të forta për vitet e fundit të karrierës së yllit portugez. Trajneri holandez ka një vlerësim mjaft kritik për periudhën e fundit të CR7, duke pretenduar se rënia e tij kishte nisur shumë më herët nga sa mendohej.
Në një intervistë për ESPN, ten Hag u shpreh se Ronaldo, pavarësisht statusit si një prej futbollistëve më të mëdhenj në historinë e futbollit, nuk arriti të ruante të njëjtin ndikim pas largimit nga Real Madridi. Sipas tij, periudha te Juventusi shënoi fillimin e fundit të versionit më dominues të sulmuesit portugez.
“Pa asnjë keqkuptim, Ronaldo është një futbollist i madh, ndër më të mirët në botë. Por realiteti është se gjatë shtatë apo tetë viteve të fundit nuk ka arritur të japë më të mirën e tij. Që nga koha te Juventusi, për të kishte përfunduar gjithçka”, deklaroi trajneri holandez.
Ten Hag theksoi se problemi kryesor i Ronaldos ishte vështirësia për t’u përshtatur me nevojat e skuadrës dhe për të vënë cilësitë individuale në shërbim të kolektivit.
“Çdo skuadër e madhe duhet të dijë të shfrytëzojë yllin e saj, por edhe vetë ylli duhet të jetë në gjendje t’i shërbejë ekipit. Pikërisht ky ishte problemi me Ronaldon”, u shpreh ai.
Ish-trajneri i Manchester United vlerësoi gjithashtu vendimin e Real Madridit për t’u ndarë nga portugezi në vitin 2018. Sipas tij, klubi madrilen kishte kuptuar në kohë se Ronaldo po humbiste shkëlqimin dhe nuk mund të ofronte më të njëjtin nivel.
