Presidenti amerikan, Donald Trump, kërcënoi Iranin me sulme ajrore. Gjatë një tubimi elektoral, tha se SHBA-ve mund t’iu duhet ta godasin rëndë këtë vend, por nuk sqaroi se kur apo në çfarë rrethanash.
Arsyeja e vetme pse nuk e kam përfunduar punën me Iranin është se dua të tregohem i mirë. Dua të përpiqem të shpëtoj sa më shumë jetë që të mundem. Por, në një moment, do të na duhet t’i godasim fort.
Më herët, Trump bëri të ditur se gjatë fundjavës ka biseduar në telefon me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu dhe se Irani ishte ndër temat e diskutuara, por nuk dha hollësi të tjera.
Portali amerikan Axios, duke cituar burime amerikane dhe izraelite, raportoi se Netanyahu i kërkoi Trump-it t’i nisë sulmet kundër Iranit menjëherë pas zgjedhjeve të mesmandatit në SHBA, më 3 nëntor.
Por, sipas raportimit, Trump është më i prirur t’u japë kohë negociatave që janë në zhvillim, për të parë nëse ato do të sjellin rezultate.
Tensionet mes Uashingtonit dhe Teheranit lidhen kryesisht me programin bërthamor iranian dhe shqetësimet e SHBA-ve e Izraelit se Irani mund të zhvillojë armë bërthamore.
Teherani këmbëngul se programi i tij ka vetëm qëllime paqësore dhe ka mohuar se synon të prodhojë armë të tilla.
Përplasja mes vendeve u përshkallëzua në shkurt të këtij viti, kur Amerika dhe Izraeli nisën sulme ndaj Iranit, duke goditur objektiva ushtarake dhe të lidhura me programet bërthamore e raketore.
Irani u kundërpërgjigj me sulme ndaj Izraelit, bazave amerikane dhe objektivave në vende të tjera të rajonit.
Në prill u arrit një armëpushim, ndërsa në qershor, palët nënshkruan një memorandum që planifikonte negociata për përfundimin e konfliktit.
Megjithatë, marrëveshja nuk u zbatua plotësisht dhe luftimet vazhduan, duke lënë të pazgjidhura çështjet për programin bërthamor iranian, raketat balistike e sanksionet amerikane. Përpjekjet diplomatike rifilluan ditët e fundit.
Sipas Axios-it, ndërmjetësuesit nga Katari kanë zhvilluar bisedime me zyrtarët iranianë, në përpjekje për të hapur rrugën për negociata të drejtpërdrejta mes Uashingtonit dhe Teheranit. Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araqchi, vuri në dukje se Irani është i përgatitur si për diplomaci, ashtu edhe për mbrojtje.
Ndërkohë, një zëdhënës i ushtrisë iraniane ka paralajmëruar se një luftë e re mund të zgjasë më shumë se përplasjet e mëparshme dhe se Trump nuk do të mund të përcaktonte i vetëm kohëzgjatjen apo kushtet e përfundimit të saj.