Netanyahu kërkon nga Trump rifillimin e sulmeve ndaj Iranit pas së martës
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu i ka kërkuar presidentit amerikan Donald Trump që sulmet ushtarake ndaj Iranit të rifillojnë menjëherë pas zgjedhjeve të mesmandatit në Shtetet e Bashkuara, të cilat mbahen të martën.
Lajmi bëhet i ditur nga Axios, i cili citon burime izraelite dhe amerikane. Sipas raportimit, kërkesa është paraqitur gjatë një bisede telefonike mes dy liderëve të shtunën, ku temë kryesore ishte situata me Iranin dhe ecuria e negociatave mes Uashingtonit dhe Teheranit.
Megjithatë, mes Trumpit dhe Netanyahut duket se ka dallime në qëndrime. Ndërsa kryeministri izraelit kërkon një rikthim të shpejtë të operacioneve ushtarake, presidenti amerikan është i prirur t’u japë më shumë kohë përpjekjeve diplomatike përpara se të vendosë për një përshkallëzim të ri ushtarak.
Ndërkohë, administrata amerikane po shqyrton paralelisht mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje me Iranin për rifillimin e negociatave të paqes, por edhe përgatitjet për një skenar të mundshëm ushtarak.
Axios raporton gjithashtu se zëvendëspresidenti amerikan JD Vance i ka përcjellë palës iraniane, përmes një ndërmjetësi, një letër ku propozohet rinisja e negociatave për një armëpushim mes dy vendeve.
Deri më tani, as Shtëpia e Bardhë dhe as zyra e kryeministrit izraelit nuk kanë komentuar mbi këto raportime.




