Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka dekretuar hartën e re administrativo-territoriale të Shqipërisë, duke i hapur rrugë zbatimit të ndarjes së re të pushtetit vendor.
Reforma parashikon reduktimin e numrit të bashkive nga 61 në 46, përmes bashkimit të 15 njësive vendore me bashki të tjera. Ndërkohë, 12 qarqet e vendit mbeten të pandryshuara.
Ndryshimet vijnë pas miratimit të reformës në Kuvend më 9 tetor, me 85 vota pro dhe 34 kundër, pas një seance të gjatë parlamentare të shoqëruar me debate mes mazhorancës dhe opozitës.
Cilat janë 15 bashkitë që shkrihen?
Sipas hartës së re, bashkitë që humbasin statusin si njësi të pavarura vendore janë:
-Fushë-Arrëzi, që i bashkohet Pukës;
-Klosi, që i bashkohet Matit;
-Rrogozhina, që i bashkohet Kavajës;
-Dimali dhe Poliçani, që i bashkohen Beratit;
-Patosi, që i bashkohet Fierit;
-Divjaka, që i bashkohet Lushnjës;
-Selenica, që i bashkohet Vlorës;
-Maliqi, që i bashkohet Korçës;
-Këlcyra, që i bashkohet Përmetit;
-Memaliaj, që i bashkohet Tepelenës;
-Libohova, që i bashkohet Gjirokastrës;
-Cërriku dhe Belshi, që i bashkohen Elbasanit;
-Përrenjasi, që i bashkohet Librazhdit.
Një tjetër risi e hartës së re është organizimi i territorit në 77 qytete dhe 387 njësi administrative. Qytetet do të kenë përfaqësim në këshillat bashkiakë, ndërsa bashkitë do të mbeten njësitë kryesore të vetëqeverisjes vendore.
Sipas parashikimeve, harta e re territoriale do të nisë të zbatohet në zgjedhjet vendore të vitit 2027.











