Ernest Muçi po tregon te Trabzonspor cilësitë që nuk arriti t’i shfaqte plotësisht te Besiktas. Sulmuesi shqiptar ka regjistruar 3 gola dhe 6 asiste në Superligën turke, krahas kontributeve në Conference League dhe Kupën e Turqisë. Këto paraqitje ngrenë pikëpyetje nëse klubi i Stambollit është penduar që e la të largohej për 8 milionë euro.
Këtë dyshim e ka shprehur edhe gazetari turk Haldun Domac gjatë një lidhjeje direkte me televizionin “A Spor”. Duke vlerësuar lojën e Muçit me skuadrën nga Trabzoni, ai shtroi pyetjen nëse te Besiktas po mendojnë se gabuan kur vendosën ta largonin.
Të lidhura
None found
Sipas Domac, ndeshjet po dëshmojnë gjithnjë e më qartë aftësitë e Muçit. Ai organizon lojën, krijon skema dhe u shërben shokëve të skuadrës, ndërsa kur i jepet mundësia për të shënuar, shfaq cilësitë e tij me këmbën e djathtë, siç bëri ndaj Gaziantep.
Besiktas mund të jetë nxituar duke mos i besuar dhe duke mos i dhënë minuta. Te Trabzonspor, Muçi po shfaq atë që nuk pati mundësi të tregonte me ish-skuadrën, ndërsa klubi nga Trabzoni nuk ngurroi ta shpërblente duke i blerë kartonin.






