Në komisionet parlamentare ka nisur shqyrtimi i projektbuxhetit të vitit 2027, i cili do të jetë në vlerën e 976 miliardë lekëve, ose rreth 10.7 miliardë euro. Opozita mungoi në Komisionin e Burimeve Natyrore, ku zëvendësministri i Financave, Andi Mehmeti prezantoi fondet e parashikuara për bujqësinë, infrastrukturën dhe mbrojtjen, si dhe ndryshimet në skemën e bonusit të bebeve.

Për bujqësinë janë parashikuar 17.9 miliardë lekë, ose 1.1 miliardë lekë më shumë se buxheti i këtij viti. Nga këto, 5.3 miliardë lekë do të shkojnë për mbështetjen e fermerëve, ndërsa 3 miliardë lekë për kompensimin e TVSH-së në masën 10%. Sipas Mehmetit, synimi është që nga këto fonde të përfitojnë më shumë fermerë.

“Buxheti për bujqësinë parashikohet të arrijë në 17.9 miliardë lekë, me rritje prej 1.1 miliardë lekësh krahasuar me buxhetin fillestar të këtij viti. Përmes politikave që do të zbatojmë, synojmë rritje të numrit të përfituesve”, tha Mehmeti.

Për infrastrukturën janë parashikuar 75.4 miliardë lekë. Paratë do të përdoren për investime në ujësjellës, portin e ri në Porto Romano dhe Triportin, si dhe për zgjerimin e autostradës Tiranë-Durrës dhe rehabilitimin e rrugës Tiranë-Ndroq-Plepa.

“Infrastruktura do të marrë 75.4 miliardë lekë. Investime në ujësjellës, portin e ri të Durrësit, portin e Triportit, zgjerimin e Tiranë-Durrës dhe rehabilitimin e Tiranë-Ndroq-Plepa”, theksoi ai.

Rritje fondesh parashikohet edhe për mbrojtjen. Ministria e Mbrojtjes do të ketë në dispozicion 76.7 miliardë lekë, të cilat do të përdoren edhe për modernizimin e Forcave të Armatosura dhe forcimin e aftësive mbrojtëse të vendit, në kuadër të angazhimeve në NATO.

“Për mbrojtjen vijojmë modernizimin e Forcave të Armatosura. 76.7 miliardë lekë për Ministrinë e Mbrojtjes. Synohet forcimi i kapaciteteve mbrojtëse të vendit në kuadër edhe të Aleancës”, vijoi zv.ministri.

Një tjetër ndryshim që parashikon projektbuxheti është bonusi i bebeve. Nga 1 korriku 2027, familjet do të mbështeten me pagesa mujore deri kur fëmija të mbushë 5 vjeç.


Lajmi kryesor:

Pr.buxheti 2027/ Maratonë diskutimesh në 7 komisione, miratohet në parim te ‘Ligjet’! 10.7 mld euro për pensione, shëndetësi, arsim, infrastrukturë e mbrojtje