“O Zot, nuk kemi më kohë”, fjalët rrëqethëse të ekuipazhit para rrëzimit të avionit në Florida me 9 të vdekur
Një komunikim dramatik mes ekuipazhit të një avioni privat dhe kontrollorëve të trafikut ajror ka zbuluar momentet e fundit përpara rrëzimit tragjik të një Learjet 60 në Florida, ku humbën jetën të nëntë personat që ndodheshin në bord.
“O Zot, nuk kemi më kohë”, ishin fjalët e fundit të një pjesëtareje të ekuipazhit, të dëgjuara në komunikimin radiofonik pak çaste përpara se avioni të përplasej me tokën.
Avioni privat, me vlerë rreth 2 milionë dollarë, ishte nisur nga Austin, në Teksas, dhe kishte si destinacion aeroportin North Eleuthera në Bahamas. Gjatë fluturimit, pilotët raportuan turbulenca mesatare dhe probleme me akullin që ishte formuar në avion, por fillimisht e përshkruan situatën si të menaxhueshme.
Gjithçka ndryshoi brenda pak çastesh. Ekuipazhi kërkoi ndihmë urgjente, duke njoftuar kontrollorët se avioni po humbiste lartësi me një shpejtësi prej 10 mijë këmbësh në minutë. Pak më vonë, situata u përkeqësua edhe më shumë.
“Jemi në gjendje tejkalimi të shpejtësisë, po zbresim me 20 mijë këmbë në minutë”, dëgjohet të raportojë piloti.
“Do të përplasem me tokën”, ishte një tjetër nga mesazhet alarmante, ndërsa kontrollori i trafikut ajror përpiqej të mbante komunikimin me ekuipazhin: “Jam këtu me ju, flisni me mua”.
Në një nga transmetimet e fundit, ekuipazhi raportoi se avioni po zbriste me 22 mijë këmbë në minutë dhe po anonte me një kënd prej 60 gradësh. Pak sekonda më vonë u dëgjua mesazhi: “Nuk kemi më kohë”.
Të dhënat e gjurmimit të fluturimit tregojnë se shpejtësia vertikale e zbritjes arriti në një moment mbi 32 mijë këmbë në minutë.
Avioni u rrëzua rreth orës 13:00 të së dielës, në një zonë të banuar pranë Greenacres, në kontenë Palm Beach të Floridës. Përplasja shkaktoi një shpërthim të fuqishëm dhe një zjarr masiv, ndërsa pamjet e filmuara nga qytetarët tregojnë avionin duke u zhytur pothuajse vertikalisht drejt tokës.
Sipas autoriteteve amerikane, të nëntë personat në bord humbën jetën. Guvernatori i Floridës, Ron DeSantis, deklaroi se deri në atë moment nuk kishte raportime për viktima apo të plagosur në tokë. Rreth 600 banorë të një komuniteti me banesa të lëvizshme u evakuuan nga zona.
Shkaqet e aksidentit mbeten ende nën hetim. Bordi Kombëtar i Sigurisë së Transportit (NTSB) ka nisur hetimet për të përcaktuar rrethanat që çuan në rrëzimin e avionit.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.







