Dy të vdekur në Trieste pas zjarrit në një depo të braktisur, trupat u gjetën pas operacionit të shuarjes së flakëve Në listën “Europe’s Most Wanted” janë përfshirë gjashtë gra të kërkuara nga autoritetet e vendeve të ndryshme evropiane. Mes tyre ka të dënuara për planifikimin e një vrasjeje, të dyshuara për mashtrime miliona euroshe, persona të përfshirë në grabitje spektakolare dhe raste të rrëmbimit apo mbajtjes së paligjshme të fëmijëve. Në të njëjtën listë figurojnë edhe dy emra të njohur të krimit të organizuar italian.
Gjashtë gra, gjashtë histori të ndryshme kriminale, por me një të përbashkët: të gjitha janë në kërkim të autoriteteve evropiane. Fotot dhe të dhënat e tyre janë publikuar në platformën ndërkombëtare “Europe’s Most Wanted”, përmes së cilës policitë e vendeve evropiane kërkojnë ndihmën e qytetarëve për identifikimin dhe lokalizimin e personave në arrati.
Nga një grua e dënuar për organizimin e vrasjes së bashkëshortit, te një tjetër që dyshohet se u ka marrë viktimave qindra mijëra euro duke i bindur se ishin të mallkuara, rastet tregojnë larminë e veprave penale për të cilat ato kërkohen.
Eva Zámecníková – Porositi vrasjen e bashkëshortit për të përfituar pasurinë

45-vjeçarja nga Sllovakia, është dënuar përfundimisht me tetë vite burg për organizimin e vrasjes së bashkëshortit. Sipas hetimeve, në janar të vitit 2014, ajo kishte kontaktuar një person për t’i kërkuar eliminimin e të shoqit, duke i ofruar 50 mijë euro. Qëllimi i dyshuar ishte përfitimi i pjesës së pasurisë së bashkëshortit.
Ngjarja lidhet me banesën e çiftit në Chocholná-Velčice, pranë qytetit Trenčín, në Sllovaki. Plani kriminal nuk u realizua, pasi personi i kontaktuar për të kryer vrasjen vendosi të njoftonte policinë.
Në vitin 2020, Zámecníková u dënua me tetë vite burg. Aktualisht, ajo figuron në listën evropiane të personave më të kërkuar, pasi duhet të vuajë dënimin.
Mariana Mijailovic – Miliona euro duke frikësuar viktimat me mallkime

Një nga rastet më të pazakonta është ai i Marianës Mijailovic, 45 vjeçe, shtetase austriake me origjinë serbe, e cila dyshohet se përdorte emrin Amela për të mashtruar viktimat.
Sipas hetuesve, ajo i bindte njerëzit se ishin prekur nga mallkime dhe se familjarët e tyre rrezikonin të sëmureshin rëndë apo edhe të vdisnin. Zgjidhja, sipas saj, ishte kryerja e ritualeve të kushtueshme për pastrimin nga energjitë negative.
Një nga viktimat ishte një grua 56-vjeçare, të cilën e kishte takuar në lagjen Döbling të Vjenës. Duke i parashikuar vdekjen e një familjareje, Mijailovic dyshohet se e bindi atë të paguante vazhdimisht për ritualet. Shuma e përfituar nga kjo viktimë arriti në më shumë se 730 mijë euro, përveç arit dhe sendeve të tjera me vlerë.
Hetimet çuan policinë edhe në një banesë në Maria Enzersdorf, ku u gjetën para të gatshme, bizhuteri, ar dhe ora luksoze. Dyshimet për mashtrime shtrihen edhe në Gjermani dhe Zvicër.
Mijailovic kërkohet që nga janari i vitit 2025, me një urdhër ndërkombëtar arresti për mashtrim të rëndë dhe të përsëritur në kuadër të veprimtarisë profesionale. Sipas hetuesve, shuma totale e përfituar nga viktimat arrin në disa miliona euro.
Andrea Sánchez Antelo – U paraqit si mjeke pa pasur licencën përkatëse

Në listën e të kërkuarave është edhe spanjollja Andrea Sánchez Antelo, 32 vjeçe. Ajo kërkohet nga autoritetet spanjolle për akuza që lidhen me ushtrimin e paligjshëm të profesionit të mjekut dhe falsifikimin e dokumenteve publike.
Sipas hetimeve, Sánchez Antelo dyshohet se kishte krijuar një identitet profesional si punonjëse e fushës së mjekësisë, megjithëse nuk dispononte autorizimet e nevojshme ligjore.
Kjo paraqitje dyshohet se i kishte mundësuar të fitonte besimin e personave të ndryshëm, të cilët më pas u kthyen në viktima të veprimtarisë së saj të pretenduar të paligjshme.
Ninoslava Jovic – Lidhje me grabitjen spektakolare në panairin e artit në Holandë

41-vjeçarja, shtetase serbe, kërkohet për përfshirjen e dyshuar në një prej grabitjeve më të bujshme të viteve të fundit në Evropë. Bëhet fjalë për sulmin në panairin ndërkombëtar të artit dhe antikuarëve TEFAF, në qytetin holandez të Maastrichtit.
Gjatë grabitjes, një grup personash të armatosur dhe me çekiçë goditën vitrinat ku ekspozoheshin diamante dhe sende të çmuara. Vlera e grabitjes u llogarit në dhjetëra miliona euro.
Një nga detajet që e bëri edhe më të famshëm këtë krim ishte arratisja e autorëve me monopatina elektrike. Jovic nuk dyshohet se ka qenë një nga personat që morën pjesë drejtpërdrejt në sulm. Hetuesit besojnë se ajo mund të ketë ndihmuar grupin në përgatitjen dhe realizimin e grabitjes.
Sipas informacioneve të policisë holandeze, gruaja mund të ndodhet në Serbi, por nuk përjashtohet mundësia që të jetë zhvendosur edhe në vende të tjera.
Ildikó Bódi – U zhduk së bashku me djalin pas vendimit të gjykatës

43-vjeçarja, shtetase hungareze, kërkohet nga autoritetet e Luksemburgut për një rast të dyshuar të marrjes dhe mbajtjes së paligjshme të një të mituri. Sipas policisë, në dhjetor të vitit 2023 ajo është zhdukur së bashku me djalin e saj, pasi një vendim gjykate kishte përcaktuar që fëmija të jetonte me të atin.
Pas zhdukjes, babai nuk ka mundur të vendosë më kontakte me të birin. Hetuesit dyshojnë se nëna dhe fëmija mund të ndodhen në Hungari, por vendndodhja e tyre mbetet e panjohur.
Melisa Smrekar – Kërkohet për mbajtjen e një vajze në vendndodhje të panjohur

Rasti i gjashtë është ai i Melisa Smrekar, 57 vjeçe, shtetase sllovene. Ajo kërkohet për dyshime që lidhen me mbajtjen e një vajze në një vendndodhje të panjohur dhe pengimin e zbatimit të një vendimi gjykate.
Edhe në këtë rast, çështja lidhet me mosmarrëveshjet për kujdestarinë e fëmijës dhe mosrespektimin e vendimeve gjyqësore. Autoritetet po përpiqen të lokalizojnë gruan dhe të sqarojnë rrethanat e çështjes, në mënyrë që të mund të zbatohet vendimi për të miturën.
Në listë edhe dy emra të njohur të mafies italiane
Përveç gjashtë grave, lista evropiane përfshin edhe 44 persona të tjerë të kërkuar. Mes tyre janë dy emra të njohur të krimit të organizuar italian: Giovanni Motisi dhe Renato Cinquegranella, të dy të dënuar me burgim të përjetshëm.
Giovanni Motisi, 67 vjeç, është një nga figurat historike të Cosa Nostras në Palermo. I njohur me nofkën “u pacchiuni”, ai është në arrati që prej vitit 1998. Emri i tij lidhet edhe me vrasjen e zëvendëskomisarit të policisë Ninni Cassarà dhe agjentit Roberto Antiochia, më 6 gusht 1985.
Për lokalizimin e tij, hetuesit kanë përdorur edhe teknologjinë e inteligjencës artificiale për të rindërtuar pamjen e mundshme aktuale të tij, duke simuluar ndryshimet e fytyrës për shkak të plakjes.
Renato Cinquegranella, 77 vjeç, është një tjetër emër i rëndësishëm i kriminalitetit të organizuar në Napoli dhe i lidhur me organizatën Nuova Famiglia, e cila ishte në konflikt me klanin e Raffaele Cutolos. Ai kërkohet për vrasje, pjesëmarrje në organizatë mafioze, armëmbajtje dhe zhvatje.
Historia e tij kriminale lidhet me ngjarje të rënda të vitit 1982, përfshirë vrasjen e Giacomo Frattinit dhe atë të drejtuesit të Policisë së Napolit, Antonio Ammaturo, i cili u vra më 15 korrik së bashku me agjentin Pasquale Paola.
Lista “Europe’s Most Wanted” shërben si një mekanizëm bashkëpunimi mes policive evropiane, duke bërë publike të dhënat e personave të kërkuar dhe duke u dhënë mundësi qytetarëve të ndihmojnë në identifikimin e tyre.
Top Channel