Drejtori i OpenAI: Inteligjenca artificiale tashmë është më e zgjuar se shkencëtarët më të mirë
Modelet e avancuara të inteligjencës artificiale kanë shënuar një përparim të jashtëzakonshëm, duke tejkaluar në shumë fusha aftësitë e shkencëtarëve më të mirë dhe duke qenë në gjendje të kryejnë një pjesë të konsiderueshme të punëve të punonjësve, deklaroi të hënën drejtori ekzekutiv i OpenAI, Sam Altman.
Gjatë fjalës së tij në ceremoninë e hapjes së Ekspozitës dhe Konferencës Ndërkombëtare të Naftës në Abu Dhabi, në Emiratet e Bashkuara Arabe, Altman foli për zhvillimin e shpejtë të teknologjisë së inteligjencës artificiale gjatë vitit të fundit.
“Në fillim të këtij viti, inteligjenca artificiale nuk ishte kryesisht aq e zgjuar sa shkencëtari ynë më i zgjuar, dhe tani është kryesisht më e zgjuar se ata”, u shpreh Altman.
Ai shtoi se, ndërsa më parë IA nuk ishte në gjendje të kryente shumë detyra profesionale, tashmë mund të realizojë një pjesë të madhe të punëve që lidhen me profesionet e zyrës.
Megjithatë, kreu i OpenAI theksoi se gjykimi njerëzor, kreativiteti dhe përgjegjësia duhet të mbeten elemente thelbësore në përdorimin e kësaj teknologjie.
“Ne mendojmë se është absolutisht e rëndësishme që njerëzit të mbeten në kontroll të së ardhmes; nuk duhet të ketë një kalim te IA-ja, nuk duhet të ketë një ‘do ta lëmë IA-në të vendosë se çfarë është më e mira për ne'”, deklaroi ai.
“IA duhet të jetë një mjet i ndërtuar për njerëzit dhe duhet t’u shërbejë atyre, jo anasjelltas”, shtoi Altman.
Një tjetër çështje e rëndësishme e trajtuar gjatë fjalimit ishte konsumi i lartë i energjisë elektrike nga qendrat e të dhënave dhe infrastruktura kompjuterike që mbështet inteligjencën artificiale.
Altman e cilësoi furnizimin me energji si pengesën kryesore për zhvillimin e mëtejshëm të sektorit, duke theksuar se kapacitetet fizike për prodhimin dhe furnizimin me energji do të përcaktojnë ritmin e përparimit të teknologjisë.
“Në çdo gjë tjetër do të bëjmë përparim të madh, përveçse atomet janë ende atome dhe bota fizike që duhet ta fuqizojë këtë do të jetë faktori dominues i kostos dhe bollëkut”, përfundoi ai.
Zgjedhjet e mesit të mandatit në SHBA: Sondazhet tregojnë se demokratët kryesojnë edhe në bastione të Trumpit
Mot i keq në Itali, shpallet alarm portokalli dhe mbyllen shkollat në disa qytete
J.D. Vance vishet si personazhi te Harry Potter për Halloween. Shpërthejnë komentet: Ky djalë s’do të bëhet kurrë president
- 09:58 Zgjedhjet e mesit të mandatit në SHBA: Sondazhet tregojnë se demokratët kryesojnë edhe në bastione të Trumpit
- 09:52 Rama publikon videon për përdorimin e e-Albania: Gjyshër, tani mjafton t’i flisni Diellës për gjetjen e shërbimit
- 09:46 Mot i keq në Itali, shpallet alarm portokalli dhe mbyllen shkollat në disa qytete
- 09:40 J.D. Vance vishet si personazhi te Harry Potter për Halloween. Shpërthejnë komentet: Ky djalë s’do të bëhet kurrë president
- 09:26 Erdogan në Korenë e Jugut: Mund të bashkëpunojmë për projektin bërthamor në Sinop
- 09:23 Iliana Yotova zgjidhet presidente e Bullgarisë, bëhet gruaja e parë në krye të shtetit