Edon Zhegrova vazhdon të jetë një prej futbollistëve më interesantë në repartin ofensiv të Juventusit, por pozicioni i tij në skuadër nuk duket më i garantuar. Trajneri Luciano Spalletti po shqyrton alternativa të ndryshme në sulm dhe konkurrenca për një vend në formacion po bëhet gjithnjë e më e fortë.
Në përballjen ndaj Napolit, tekniku italian vendosi të mos e aktivizonte fillimisht nga minuta e parë sulmuesin kosovar, duke preferuar Alajbegovic, Woltemade dhe Kolo Muani në repartin ofensiv.
Një zgjedhje që ka tërhequr vëmendjen, sidomos duke marrë parasysh aftësitë teknike të Zhegrovës dhe potencialin e tij për të krijuar diferencën në fushë.
Zhegrova zotëron cilësi që nuk gjenden lehtësisht te futbollistët e tjerë të Juventusit. Shpejtësia, driblimet, aftësia për të kaluar kundërshtarët në duelet një kundër një dhe ndryshimi i menjëhershëm i drejtimit e bëjnë atë një armë të rëndësishme në fazën sulmuese.
Megjithatë, konkurrenca po rritet. Alajbegovic iu përgjigj besimit me golin e avantazhit, ndërsa Boga realizoi rrjetën që vulosi fitoren 2-0. Dy paraqitje që i japin Spallettit më shumë alternativa dhe e detyrojnë Zhegrovën të luftojë për hapësirat e tij.
Për futbollistin kosovar nuk mjaftojnë më vetëm aftësitë individuale. Juventusit i nevojitet një kontribut më i plotë, me më shumë saktësi në pasimin e fundit, zgjedhje të duhura në momentet vendimtare dhe angazhim edhe në fazën mbrojtëse. Spalletti kërkon ekuilibër nga të gjithë lojtarët ofensivë dhe pret që secili të jetë pjesë aktive e lojës kolektive.
Gjithsesi, fitorja ndaj Napolit nuk ia zvogëlon rëndësinë Zhegrovës. Përkundrazi, Juventusi ka nevojë për lojtarë që mund të ndryshojnë rrjedhën e ndeshjeve me një aksion individual. Tashmë sfida e madhe për 27-vjeçarin është të kalojë nga një futbollist që dhuron spektakël në një lojtar vendimtar me vazhdimësi.
