Zelensky i gatshëm për një takim “kokë më kokë” me Putinin në Turqi, kërkon ndërmjetësimin e Erdoganit
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka deklaruar se është i gatshëm të zhvillojë një takim të drejtpërdrejtë me presidentin rus Vladimir Putin në Turqi, duke shpresuar se presidenti turk Recep Tayyip Erdogan do të ndihmojë në organizimin e bisedimeve. Në një intervistë për CNN Türk, Zelensky theksoi se negociatat në nivel presidentësh janë të domosdoshme për t’i dhënë fund luftës mes Rusisë dhe Ukrainës.
Sipas tij, takimi ballë për ballë mund të ndihmojë në zgjidhjen e çështjeve që kanë mbetur pezull gjatë negociatave mes delegacioneve të dy vendeve. Ndër temat kryesore që duhet të diskutohen janë armëpushimi përgjatë vijës së frontit, mekanizmat për monitorimin e marrëveshjes, garancitë e sigurisë për Ukrainën dhe rindërtimi i vendit.
Megjithatë, Zelensky përjashtoi çdo mundësi për të pranuar kërkesat e Moskës për dorëzimin e Donbasit apo njohjen e Krimesë si territor rus. Ai argumentoi se këto lëshime do të shkelnin Kushtetutën e Ukrainës dhe theksoi se sovraniteti dhe integriteti territorial i vendit nuk mund të bëhen objekt marrëveshjesh pa pjesëmarrjen e Kievit.
Presidenti ukrainas foli gjithashtu për mundësinë e pjesëmarrjes në samitin e G20-s, që pritet të mbahet në Miami në dhjetor. Ai tha se Ukraina ende nuk ka marrë një ftesë zyrtare nga Shtetet e Bashkuara, por do ta mirëpriste një të tillë nga presidenti Donald Trump, veçanërisht nëse takimi do të shërbente për të paraqitur një nismë për përfundimin e luftës.
Zelensky ritheksoi se asnjë vend tjetër nuk mund të vendosë për të ardhmen e Ukrainës pa praninë dhe miratimin e saj. Ai kujtoi gjithashtu se Rusia nuk arriti të realizojë objektivat e saj fillestare ushtarake, pavarësisht pretendimeve se do ta pushtonte Ukrainën brenda pak ditësh. Sipas tij, çdo përpjekje për paqe duhet të respektojë sovranitetin ukrainas dhe të përfshijë drejtpërdrejt palën ukrainase.




